Fluturojnë çmimet e pushimeve/ Operatorët turistikë: Është rritur vaji dhe nafta, do të rriteshin edhe dhomat. Autoriteti i Konkurrencës: Nëse keni fakte, na i sillni të nisim hetim

Sezoni turistik veror erdhi këtë vit me rritje çmimesh për shumicën e bregdetit shqiptar.

Operatorët turistikë raportojnë rritje mes 10-15%. Për të gjithë ata që duan pushime ekonomike, ky sezon vjen me një “lajm të keq”, pasi hotelet po ofrojnë “çmime të çmendura”deri në 60.000 lekë nata.

Për disa të huaj, Shqipëria është ende e lirë, por për vendësit ajo po shtrenjtohet, çka po reflektohet në ulje të numrit të turistëve nga këto vende.

Vetëm me një detaj të vogël, shezlongët në jug kanë kapur shifra që kurrë më parë nuk i kishin arritur, në 5.000 lekë të reja, gati-gati sa një dhomë akomodimi, por në dallim ke dy shezlongë dhe një çadër mbi krye, për disa orë.

Çmimet e shezlongëve kanë kapur stratosferën, nisur nga Gjiri i Lalëzit e deri te Pema e Thatë në Ksamil. Skaji më jugor i vendit ka sjellë çmime më të kripura se uji i detit për pushuesit. Një pushues, së fundmi, ka raportuar për mediat se për një gazebo dysh ka paguar 5.000 lekë të reja, ndërsa një ditë më parë 3.000 lekë të reja.

Fatura

Duke u nisur nga ky detaj dhe të tjera, një familje me pagë mesatare nuk arrin ta përballojë, dhe jugu ka filluar të braktiset. Vetëm në një javë qëndrimi, kostot e çadrës do të shkojnë deri në 35.000 lekë të reja.

Le të rikthehemi te kostot e akomodimit. Sipas një vëzhgimi të kryer nga gazetarë të Priza.al, rezulton se vetëm në një natë ju duhet të paguani 58.800 lekë. Këtu flasim për një hotel me tri krevate, me një largësi prej 7.2 km nga qendra.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në booking.com, një faqe globale, ku janë pjesa më e madhe e bizneseve, dhe qëndrimi në hotel mund të rezervohet online. Siç do t’ju tregojmë dhe në pamjet më poshtë, çmimi minimal për rezervim dhome, për një natë, në Ksamil varion nga 13. 524 lekë deri në 16.646 lekë.

Pra, një familje me katër anëtarë dhe që kërkon dy dhoma me kushte normale, në Ksamil, duhet të paguajë mesatarisht 15.876 lekë për një natë.

Saranda, çmimet deri 18.643 lekë

E njëjta situatë me çmimet e “kripura” vazhdon edhe në Sarandë, ku nata në një hotel me katër yje, për një familje me katër persona, prindër e fëmijë, u kushton atyre minimalisht 9.996 lekë, duke mos harruar që ato kapin vlerën edhe prej 18.643 lekësh.

Një tjetër qytet bregdetar në jug të Shqipërisë, që ofron po këto çmime, është edhe Himara, pasi këtu situata sa vjen edhe bëhet më “entuziaste” për pronarët e hoteleve, ku në një ekonomi tregu të lirë të servirin me “sy mbyllur” akomodim me vlerën 24.696 lekë nata.

Sipas specialistëve të fushës duket se bizneset po tentojnë të kompensojnë shpejt humbjet e pësuara gjatë pandemisë, dhe kjo mund të ndikojë në rënien e numrit të turistëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion për të pushuar.

Për operatorin turistik, Besnik Vathi, kjo rritje e çmimeve është edhe si pasojë e luftës në Ukrainë, ku sipas këtij të fundit kjo rritje nuk është problemi i atyre që ofrojnë.

Besnik Vathi, operator turistik

“Rritja e çmimeve nuk është abuzive. Nuk është problem i atyre që i ofrojnë. Lufta në Ukrainë ka ngritur edhe çmimet e hoteleve, pasi turizmi kërkon të çlirohet nga pengesat që la pandemia”, tha ai.

Nëse do ta krahasonim me vitin 2019, rezulton se sezoni turistik ka qenë më frytdhënës, pasi, referuar shifrave të INSTAT-it, rezulton se rreth 4 milionë turistë kanë hyrë në Shqipëri.

Edhe pse nuk ka ende një shifër të saktë, sipas parashikimeve të operatorëve turistikë, ky sezon do të jetë i frytshëm, por jo në nivelet e tre viteve më parë.

“Turizmi është çliruar nga pengesat dhe shihet i stabilizuar. 2019 ka qenë vit më i mirë”, pohon Vathi.

Por, teksa pritet që turizmi të kthehet drejt normalitetit dhe të kemi një rritje të numrit të vizitorëve në vend, detyra më e madhe iu takon institucioneve për të marrë masat e nevojshme në funksion të mbarëvajtjes së sezonit. Abuzimet që po bëhen me çmimet e hoteleve, me sa duket, do të ulin ritmin e turistëve, çka do të bëjë që ata t’i drejtohen një vendi tjetër.

Nga ana tjetër, Priza.al është interesuar pranë Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me abuzimet e çmimeve në strukturat akomoduese të vendit.

Autoriteti i Konkurrencës

Zyrtarë pranë këtij institucioni, në konfidencialitet, pohuan se merren me marrëveshjet e ndaluara, kontrollet e përqendrimeve dhe abuzimin me pozitën dominuese.

“Nuk jemi autoriteti i çmimeve, ne shohim marrëveshjet e ndaluara, kontrollin e përqendrimeve dhe abuzimin me pozitën dominuese, nëse keni fakte, na i sillni…”, pohoi AK.

Autoriteti i Konkurrencës nuk e shikon të arsyeshme të marrë nën hetim këtë treg, ndryshe nga situata e rritjes së çmimeve për shkak të ndeshjes sportive, ku çmimet fluturuan disafish më shumë.

“Autoriteti iu bëri thirrje ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes që të mos abuzojnë, duke anuluar rezervimet e hershme, për t’i rishitur ato në minutën e fundit, me çmime shumëfish më të larta. Për subjektet që kapen në shkelje në fund të hetimit, pra kanë rritur çmimin në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, Autoriteti paralajmëroi ndëshkimin e tyre me gjoba deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës”, deklaroi Autoriteti i Konkurrencës, një muaj më parë.

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al, sipas ligjit nr. 35/2016, “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi, pa autorizimin e Priza.al, në të kundërt, çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit nr. 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *