Dy fjalë zemre për Arben Dukën

Nga Elio Laze

Në vitin 2005 kur punoja si faqosës në gazetën “Ndryshe” kryeredaktor u emërua Arben Duka.

Ai një kollos i poezisë dhe lirikës, ndërsa unë faqosës, djali i një mikut të tij. Prezantimin e parë e kishim tek një gjellëtore pa emër, poshtë redaksisë, që Beni e pagëzoi si “Pilafi” në “nderim” të dy racioneve që unë porosita për veten time.

Pas disa ditësh, Beni vuri re një “talent” tek unë. Ndërkohë që faqosja, bëja batuta rreth shkrimeve dhe nëpër të më dilte dhe ndonjë titull interesant. Më nxiti që ta mendoja më thellë të shkruarin dhe për pak kohë ai dhe miku i tij, babai im Luan më bënë që të vrisja komplekset brenda vetes dhe të vijoja të shkruaja e pak nga pak, nga një faqosës kalova në tjetër korsi e më pas jeta ime mori drejtimin që dihet.

Arbeni ishte i rrallë. I rrallë në të jetuar, në të menduar, në të perceptuar, në fjalor, në sjellje e në çdo detaj që atë njeri e bënin Arbenin që njihnim të gjithë. Ironik dhe lirik. I vërtetë deri në dhimbje. Gojë ëmbël dhe i ashpër. Shpotitës ndaj së keqes, merrte ajër nga e bukura dhe autoironik kur ishte momenti.
Mbante një çantë plot me copa letrash.

Çfarë janë?- e pyeta.
Epitafe, mu përgjigj. Epitafet që i duhen vënë vipave por duke qenë se janë shtuar, edhe rripave, në pllakat e varreve kur të vdesin një ditë. Dhe këto do të publikohen në një libër.

“Satirik plot ëmbëlsirë
E pat’ jetën karamele
Po një natë, në errësirë
Vdekja i vuri kapelle”

Këtë ia kam bërë Luanit, më tha. Tët eti. I talentuar është pafund qerratai.
Kishin kaluar muaj nga marrëdhënia jonë e punës që ishtë bërë shumë e fortë dhe familjare. Kishim folur e kaluar kohë me njëri tjetrin, dhe më njihte. Më njihte mirë.
Të kam bërë edhe ty një epitaf;- më tha. Të ta venë tek varri pas nja 80 vitesh.

“Elio Laze shokët thonë
Rrojte shumë por kot që rrojte
Se në moshën më të njomë
Që të gjitha i provove”

Rrojta dhe këto fjalë mu kujtuan sot. Kur putha për herë të fundit, kutinë e drunjtë ku po flinte Beni. E provova edhe ketë dhimbje. I ri jam, që të përcillja një njeri aq të madh dhe mbi të gjitha të ri.
Por Arbeni këtë e dinte. E dinte dhe e merrte me sportivitet. I pati bërë edhe epitafin vetes.

“Këtu prehet xhaxha Beni
Që u tall- o me të gjithë
Po një herë e hëngri qeni
Dhe iu ngul një hu në bythë”

Iku Beni. Iku të takojë mamanë e tij që nuk rreshti së përmenduri që në 1998 kur ajo u nda nga jeta.
Iku Beni që ta pijë një gotë me vëllezërit. Me Sofo ironikun dhe me Polon rakidashësin. Janë të tre bashkë, me nënën që i mungoi aq shumë, duke folur për Labovën e Gjirokastrës të cilën e donin porsi nënën e tyre.
Dhe ne, na la dhimbjen dhe zbrazëtinë. Zbrazëti dhe boshllëk që e lë vetëm mungesa e një pjese të shpirtit. Dhe një pjesë e shpirtit tim, ishte dhe do jete në kujtimet dhe momentet që pata me Arben Dukën.
Ma bëj një dopio pilaf të lutem…!

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *