‘Cilido udhëheqës në Serbi që do ta njihte Kosovën, ai s’do kishte më karrierë politike’

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha të mërkurën se kompleksitetit të situatës në Kosovë i kontribuon fakti se vendimi për njohjen e saj do të ishte fatal për karrierën politike të çdo politikani serb.

Plenkoviç këto komente për Kosovën i bëri në konferencën e sigurisë GLOBSEC 2023 në Bratislavë të Sllovakisë, ku po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri kroat tha se Zagrebi kërkon paqe dhe ndërprerjen e shpejtë të incidenteve, duke iu referuar përleshjeve mes forcave të KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri të Kosovës, ku të hënën u plagosën më shumë se 80 persona.

“Cilido udhëheqës në Serbi që do ta njihte Kosovën, mendoj se ai më nuk do të kishte perspektivë në karrierën e tij politike”, tha Plenkoviç.

Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *