Çështja e detit në Hagë, Rama për gazetën greke: Fillojmë negociatat pas miratimit nga presidenti

Vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama në Greqi, nuk kaloi pa jehonë. Ai ka dhënë një intervistë për gazetën greke ‘Tanea’, pas hapjes së ekspozitës së tij personale me vepra miks dhe skulptura. Rama foli për lidhjet e forta mes dy vendeve, artit, ndërsa pohon se nuk ka asnjë problem me pakicën etnike greke.

Duke iu referuar aksidentit të trenit në Tempi, ai foli për dhimbjen që ndjen populli shqiptar, ndërsa vuri në dukje edhe shpalljen e zisë kombëtare në vend në shenjë solidariteti me Greqinë.

Rama ishte i qartë kur tha se dy vendet janë “politikisht në një nivel shumë të mirë, çështjet mes nesh trajtohen me përkushtim nga të dyja palët, me një mirëkuptim të përbashkët që ne duhet të zgjidhim dallimet tona dhe se askush tjetër nuk e bën për ne”.

Ai i referohet edhe vendimit greko-shqiptar për ankim të përbashkët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për zgjidhjen e çështjes së zonave detare. I pyetur nëse ka mundësi që të ketë zhvillime dhe të dorëzohet bashkëpremtimi Athinë-Tiranë para zgjedhjeve të ardhshme në Greqi, Rama përgjigjet negativisht pasi siç thotë ai “ka një procedurë që duhet ndjekur”.

Rama thekson se Tirana po ndjek hapat e parashikuar, në bazë të procedurave që “të kemi miratimin nga presidenti dhe më pas të fillojmë negociatat”.

Për minoritetin grek

Duke iu përgjigjur çështjeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me minoritetin etnik grek në Shqipëri, si dhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi, Rama shprehu vlerësimin e tij se “gjithçka po shkon shumë mirë”.

Rama pranoi se “arti nuk ndikon në politikë”, duke shtuar: “Poezitë e shkëlqyera nuk ndalojnë kurrë një luftë. Arti është një jetë në një realitet tjetër, politika është një betejë në realitetin e jetës sonë. Ndërsa arti nuk mund të ndikojë në politikë, politika mund të ndikojë në art për mirë, keq ose më keq.”

Përsa i përket frymëzimit, ai thotë se vizaton në tavolinën e tij “gjatë takimeve, bisedave telefonike apo momenteve kur jam vetëm, kur mendja ime është duke punuar në axhendën e ditës. Unë vizatoj edhe në takime. Disa nga kolegët e mi të huaj kanë vizatime të mia në muret e zyrave apo shtëpive të tyre, por bardh e zi, sepse nuk i marr ngjyrat me vete në samitet e NATO-s apo BE-së”.

I pyetur se si do të krijonte një vepër që pasqyron marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ai thekson se “arti im nuk pasqyron mendimet e mia për jetën dhe politikën, por një realitet abstrakt me ca kujtime të lira aty-këtu. Megjithatë, një vepër arti që pasqyron marrëdhënien Shqipëri-Greqi do të ishte një objektiv mjaft i vështirë në një konkurs arti”.

Lidhur me lidhjet Greqi-Shqipëri në ditët e sotme, Rama nënvizon se “ato po bëhen gjithnjë e më të mira pas një periudhe trazirash dhe unë besoj fort në potencialin e mahnitshëm të këtyre lidhjeve për të mirën e të dy kombeve”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *