BSH: Të merren masa për të ulur euroizimin e ekonomisë reale

Banka e Shqipërisë ka kërkuar edhe njëherë nga qeveria shqiptare marrjen e masave për uljen e përdorimit të valutës në sektorin real të ekonomisë.

Në analizën për ecurinë e treguesve të euroizimit të sektorit bankar, Banka Qednrore vëren se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 ka pasur ndryshime të lehta në përdorimin e valutës nga sektori bankar. Ndryshimin më të dukshëm e shënoi rënia e kredive të ekspozuara ndaj kursit të këmbimit, ndërkohë që kreditë në valutë zbritën për herë të parë nivelin nën 50% të totalit të kredive. Rreth 49.9% e portofolit të kredive është në valutë të huaj, vlerë kjo 2.8 pikë përqindje më pak se një vit më parë.

Në anën e detyrimeve të sektorit bankar, pesha e depozitave në valutë ka mbetur relativisht e pandryshuar gjatë periudhës, ndërsa ka rënë lehtë krahasuar me vitin e kaluar. Depozitat në valutë ndaj totalit të depozitave të klientëve shënuan nivelin 50.9%, njësoj si në fund të vitit 2020 dhe 1 pikë përqindjeje më poshtë se një vit më parë.

Sipas analizës, këto zhvillime tregojnë që deri tani veprimtaria bankare ka shfaqur ndjeshmëri të moderuar ndaj masave të marra nga Banka e Shqipërisë për rritjen e përdorimit të monedhës vendase dhe uljen e përdorimit të valutës. Ekspertët e departamentit të Stabilitetit Financiar vlerësojnë se arritja në një konkluzion përfundimtar ndërlikohet në kushtet kur, gjatë periudhës, politikat ekonomike dhe bilancet e subjekteve, duke përfshirë edhe atë të sektorit bankar, janë ndikuar nga pandemia. Nëse efektet vijojnë të mbeten të tilla dhe duke konsideruar zhvillimet e përgjithshme ekonomike e financiare, BSH vlerëson se mund të lindë nevoja për masa shoqëruese që synojnë të japin një ndikim më të madh në realizimin e objektivit.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë mendon se nevojitet diskutimi për identifikimin e masave për uljen e niveleve të përdorimit të valutës, në mënyrë graduale, edhe në sektorin real të ekonomisë. Mbështetur në Memorandumin përkatës të Bashkëpunimit të vitit 2017, Banka e Shqipërisë ripërsërit ftesën që edhe palët e tjera nënshkruese të konsiderojnë aplikimin e masave të tilla për tregjet dhe instrumentet që mbikëqyrin.

Palët e tjera që nënshkruan memorandumin e mësipërm ishin Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Megjithatë, deri tani këto institucione nuk kanë miratuar asnjë nismë konkrete që synon të rrisë përdorimin e monedhës vendase, përkatësisht në tregjet financiare jobankare dhe në ekonominë reale.

“Duke konsideruar zhvillimet e përgjithshme ekonomike dhe financiare, veçanërisht në kushtet e pandemisë, mund të jetë koha që autoritetet të intensifikojnë përpjekjet për identifikimin e masave shtesë për rritjen e përdorimit të monedhës vendase në ekonominë reale dhe në sistemin financiar,” shprehet Banka e Shqipërisë.

/Marrë nga MONITOR/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *