Borrell: Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, kusht për normalizimin e marrëdhënieve

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i marrëveshjes së arritur në Bruksel është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënies Kosovë – Serbi.

Borrell, në konferencë për media, pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, ka bërë thirrje që të mbarojë atmosfera negative dhe mungesa e konstruktivitetit.

“Bashkimi Evropian është për bashkëpunim, është për fqinjësi dhe për të jetuar së bashku. Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të mbarojnë. Atmosfera negative e mungesa e konstruktivitetit duhet të përmbyset. Të jesh anëtar i BE-së nënkupton të jesh në gjendje të bashkëpunosh, të veprosh si fqinj i mirë dhe të tejkalosh gjitha vështirësitë e kaluara”, ka thënë Borrell.

Borrell po ashtu ka thënë se në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së është folur edhe për shtetet që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Ai ka përmendur Serbinë, ndërsa ka thënë se mbajtja e lidhjeve me Rusinë nuk është në përputhje me rrugën evropiane dhe po ashtu me interesat e Serbisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *