Belgjika goditi mafien shqiptare, zbërthehen fijet e organizatës të lidhur me ‘Ndrangheta-n’!

Një ditë pasi Policia belge zhvilloi mega-operacionin e koduar ‘Sky’ ku goditi një organizatë kriminale që merrej me trafikun e kokainës në Europë, mediat vendase bëjnë me dije se ky grup kriminal është përfshirë në vrasjen e Ardit (Arjan) Spahiut, ngjarja e ndodhur në nëntor të vitit të shkuar.

Arjan Spahiu, i ekzekutuar në nëntor 2020, në Belgjikë

“Organizata kriminale e shënjestruar nga operacioni i gjerë policor i kryer nën drejtimin e prokurorisë federale të martën është përgjegjëse për atentatin ndaj një shtetasi shqiptar të kryer më 27 nëntor 2020 në Molenbeek”, shkruajnë mediat belge. Viktima jetonte ilegalisht atje. Spahiu është kunati i Erion Alibejt dhe krimi dyshohet të ketë ndodhur për prishjen e pazareve të drogës.

VIKTIMA

Ardit (Arjan) Spahiu, 38- vjeçari që u ekzekutua me tetë plumba në mes të Brukselit një vit më parë, ka lidhje familjare me Erion Alibejn, i cili ndodhet pas hekurave për organizimin e të paktën dy vrasjeve në qytetin e Elbasanit.

Viktima ishte person me precedentë penalë, pasi në vitin 2010 është vënë në pranga si i dyshuar për vrasjen e Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në Elbasan. Për këtë arsye, në maj të këtij viti tre hetues belgë, së bashku me prokurorë dhe përfaqësues të ambasadës, kanë kryer takime intensive me zyrtarë të lartë të Policisë dhe Prokurorisë në Elbasan.

Qëllimi ka qenë mbledhja e informacioneve për Arjan Spahiun dhe aktivitetin e tij në Elbasan dhe jo vetëm, të cilat mund të çojnë në zbardhjen e motive të ekzekutimit të tij. Grupi i hetuesve nga Brukseli ka qëndruar rreth katër ditë në Elbasan.

ORGANIZATA KRIMINALE

Një operacion i gjerë i zhvilluar të martën, më 26 tetor, në Belgjikë kundër një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e kokainës bëri të mundur arrestimin e 64 personave dhe çmontimin e 6 laboratorëve, njoftoi prokuroria federale.

“Operacioni synoi një organizatë kriminale të dyshuar se ishte aktive në trafikun e kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Europës”, tha Eric Jacobs, drejtor i Policisë Gjyqësore Federale (PJF) të Brukselit.

“Një grup kriminelësh të instaluar në Belgjikë, kryesisht në Bruksel, organizonin pritjen e kokainës, nxjerrjen dhe ripaketimin e saj në laboratorët belgë”, shpjegoi Jacobs.

“Ne vlerësojmë prodhimin e rreth një ton kokaine në javë në Bruksel dhe rrethinat e tij. Pas këtij ripaketimi, korrierët sigurojnë shpërndarjen në pjesën tjetër të Europës”, shtoi ai.

700 MILIONË MESAZHE TË DESHIFRUARA

Më shumë se një mijë oficerë policie morën pjesë në kontrollet e kryera në rajonin e Brukselit dhe në atë të Antwerp-it, i cili është bërë “porti më i madh europian për importimin e kokainës”, nënvizoi Eric Snoeck, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gjyqësore Federale.

“Krimi i organizuar ndërkombëtar apo edhe global është qartësisht i vendosur në Belgjikë”, komentoi ai. Objektivi i operacionit ishte një organizatë e përbërë nga klane të ndryshme të lidhura me mafien kalabreze “Ndrangheta” dhe mafien shqiptare.

“Struktura kriminale ishte e organizuar nga Gjermania, Italia dhe Belgjika”, bën të ditur “Le Figaro”. Operacioni i drogës është më i madhi që nga ai i kryer në mars, falë dekriptimit të rreth 700 milionë mesazheve të kaluara përmes rrjetit të komunikimit “Sky ECC” të përdorur nga grupet kriminale.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *