Bankat shtrënguan kreditimin për SME-të në tremujorin e parë

Bankat shtrënguan kreditimin për bizneset e vogla dhe të mesme (SME) në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas vrojtimit tremujor të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, faktorët që sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset në këtë tremujor ishin të lidhur me perceptimin e rrezikut për elementët si situata ekonomike në vend dhe perspektiva për të, aftësia paguese e kredimarrësit si edhe kolaterali i kërkuar.

Gjithashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave kundrejt rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve. Shtrëngimi i tyre u aplikua si nëpërmjet elementeve çmim, ashtu edhe ato joçmim. Kështu, bankat raportuan marzhe më të larta mbi kreditë me rrezik, reduktuan madhësinë e kredisë akorduar bizneseve, si edhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë, të nënshkruara mes bankave dhe bizneseve.

Për biznesin e madh, standardet e kreditimit mbetën të pandryshuara.

Nga ana tjetër, kërkesa për kredi e bizneseve u raportua e lartë edhe në tremujorin e parë të vitit 2022. Shtimi i kërkesës për kredi u vërejt si në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë, ashtu edhe në terma të madhësisë së biznesit.

Balancat e kërkesës për kredi shënuan vlera të larta pozitive, edhe këtë tremujor, si në kreditë për biznesin e vogël e të mesëm, ashtu edhe në atë madh. Po ashtu, si kërkesa për kredi për qëllime investimi, ashtu edhe ajo për mbulimin e nevojave për likuiditete u raportua e shtuar këtë tremujor. Pavarësisht kërkesës së lartë, shtrëngimi i huadhënies në kët segment u shoqërua me ulje të shkallës së miratimit të kredive për bizneset.

Pothuajse të gjithë faktorët që përcaktojnë shkallën e refuzimeve për kredi të bizneseve kanë vepruar në kahun rritës të refuzimeve në këtë tremujor. Kështu, perceptimi i bankave për rrezikun lidhur me perspektivën e sektorit ku operojnë bizneset, me gjendjen financiare të bizneseve, faktorët e lidhur me kuadrin e politikave të kreditimit të bankave, me aftësinë paguese të kredimarrësit, si edhe historiku i kreditit nga regjistri i kredive dhe statusi i kredive aktuale, ndikuan në shtimin e numrit të refuzimeve për kredi gjatë këtij tremujori.

Në tremujorin e dytë të vitit 2022, bankat presin një tablo të ngjashme të standardeve të kreditimit me tremujorin e parë. Kështu, standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm dhe të pandryshuara në segmentin e biznesit të madh. Shtrëngimi i standardeve pritet të jetë evident në kreditë për qëllime investimi, ndërkohë që standardet në kreditë për qëllime likuiditeti priten të mbeten thuajse të pandryshuara me tremujorin e parë.

Një tendencë të kundërt ka shfaqur oferta për kredi në segmentin e individëve, ku standardet e kreditimit u lehtësuan sërish në tremujorin e parë të vitit. Lehtësimi i standardeve u vërejt në të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë, ndonëse ishte më i theksuar në kreditë konsumatore. Lehtësimi i kushteve dhe termave të kreditimit erdhi sidomos nëpërmjet zgjatjes së afatit maksimal të maturitetit për kreditë dhënë individëve.

Lehtësimi i standardeve të kreditimit për individët u arrit nga konkurrenca e shtuar në sistemin bankar, si edhe perceptimi i bankave lidhur me zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave. Paralelisht, bankat raportuan rritjen e shkallës së miratimit të kredive për individët.

Numri më i ulët i refuzimeve për kredi të individëve erdhi si pasojë e perceptimit të bankave për përmirësimin e treguesve lidhur me aftësinë paguese, të ardhurat e disponueshme dhe historiku i punësimit e stabiliteti në tregun e punës. Në tremujorin e dytë të vitit 2022, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu dhe ato konsumatore.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *