Audio-përgjimi për 21 janarin, Artan Hoxha: Dosjen duhet ta mbante SPAK, pse nuk merren në pyetje Berisha dhe Basha?

Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar disa nga komunikimet e anëtarëve të Gardës së Republikës në tragjedinë e 21 janarit 2011 ku mbetën të vrarë 4 persona.

I ftuar në emisionin “Log”, Hoxha tha se në audiopërgjimin që ka siguruar, tregohet se si një prej drejtuesve të Gardës i jepnin urdhër vartësve të tyre për të qëlluar.

“Ndaloni zjarrin”, “qëlloje”, “mbani armët gati se kur të them unë do qëlloni”, “kërkoni furnizim se na mbaruan fishekët”, janë disa prej komunikimeve që ka zbuluar gazetari.

Ndërkohë ish-kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi komentoi kërkesën e familjarëve të 4 viktimave për ta kaluar hetimin e çështjes së 21 janarit tek SPAK-u. Sipas tij, nëse dosja do të merret nga SPAK, atëherë audiopërgjimi nuk do të merret parasysh.

Artan Hoxha: Familjarët e të dëmtuarve, kanë shkuar kanë kërkuar ta çojnë tek SPAK. S’kanë më besim tek drejtësia pas 13 vitesh. Predhën e gjetur në kokën e Aleks Nikës e ka hetuar FBI-ja, tani e kanë çuar prapë në Itali. Për çfarë arsye? Tani familjarët kanë kërkuar që hetimin ta bëjë SPAK.

Për këtë çështje nuk janë pyetur zyrtarët e lartë të qeverive, Berisha, Basha. Këta nuk janë thirrur. Ajo që doli këtë radhë, unë audiopërgjimin e kam nxjerrë dy javë përpara 21 janarit të këtij viti. Ajo është një indicie. Drejtuesit e lartë të Gardës dhe të policisë kanë pasur një kanal të veçantë në radio.

Xhaxhai i Aleks Nikës ka një regjistrim të komunikimit të drejtuesve të gardës. Mënyra e parë është regjistruar me një diktofon. Në vendimin që është dhënë nga shkalla e parë është klasifikuar si vrasje nga pakujdesia. Kjo indicie tregon se vrasjet janë bërë me urdhër, pasi dëgjohet “ndaloni zjarrin”, “qëlloje”,“mbani armët gati se kur të them unë do qëlloni”, “kërkoni furnizim se na mbaruan fishekët”. Kjo tregon se vrasjet kalojnë nga vrasja nga pakujdesia, tek vrasja me dashje minimalisht.

Mentor Kikia: Ky zëri a është provë që mund të çojë dikë përpara drejtësisë? Pse nuk ja jep prokurorisë së Tiranës?

Artan Hoxha: Sepse nuk ka besim tek kjo çështje.

Eugen Beçi: Po e mori SPAK-u, prova shkon në kosh. Nuk ka kompetencë SPAK-u. Radiomarrëse dhënëse i atij oficeri, a është marrë dhe kontrolluar nga prokuroria nëse regjistrohen apo jo. Kjo është një çështje e shpërdorim detyrës. Nuk i takon publikut të caktojë se kush do e hetojë. Prokuroria e Posaçme sot me të drejtë ka thënë, personazhet që po hetohen nuk janë subjekti jonë, ndaj nuk mund ta hetojë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *