Arrestimi i të dyshuarit për vrasjen e Nikulajt: Në momentin kur u vu në pranga, ai…

Mbrëmë Policia e Shtetit bëri me dije se është arrestuar në Marok autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin të Lezhë.

Interpoli i Tiranës në bashkëpunim me policinë marokene kanë arrestuar në Rabat të Marokut shtetasin portugez Ruben Saraiva, i cili dyshohet se më 19 prill 2023 ekzekutoi në lokalin e tij biznesmenin Ardian Nikulaj.

“Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj. Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”,- thuhej në njoftimin e policisë.

ARRESTIMI

Gjatë arrestimit Saraivës nuk iu gjetën dokumente me vete, por dyshimet e hetuesve shqiptar janë se 28-vjeçari të ketë mbërritur në Marok me dokumente false, pasi me emrin e tij nuk ka dalë në mënyrë të rregullt nga Greqia, vend që e përdori për t’u larguar përmes pikës kufitare të Kapshticës ditën që vrau Ardian Nikulajn, në shoqërinë e anglezit tjetër, Harry Simpson, i vetmi i pa arrestuar nga 6 personat që u shpallën fillimisht në kërkim. Edhe ky i fundit i lokalizuar nga autoritetet në Britani të Madhe, por gjykatat atje refuzojnë të firmosin një urdhër-arresti, të pabindur për përfshirjen e tij në vrasjen brenda lokalit “Coral” në Shëngjin.

Për Ruben Saraivën pritet të nisin procedurat e ekstradimit drejt Tiranës, edhe pse do të jetë një proces i vështirë pasi Shqipëria dhe Maroku nuk kanë një marrëveshje ekstradimi midis tyre. Megjithatë, të qenit shtetas i huaj, në rastin konkret jo maroken, Shqipëria bëhet me dije se do të përdor të gjitha manovrat ligjore të konventave ndërkombëtare për të bindur shtetin afrikano-verior për të pasur një përgjigje pozitive ekstradimi.

Kërkimet

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë, njoftoi Policia. Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje. Për këtë ngjarje janë arrestuar dhe 4 persona në Londër si bashkëpunëtore në ekzekutimin e biznesmenit.

Mes të arrestuarve në Londër është edhe shqiptaro-britaniku Edmond Haxhia, i dyshuar si organizator dhe financues i krimit. Grupi i personave që kishte planifikuar kryerjen e vrasjes kishte ardhur në vendin tonë prej kohësh e ndërsa shkak i vrasjes besohet së është gjakmarrja.

Sipas Prokurorisë, financuesi i vrasjes Edmond Haxhia është nipi i familjes Lekstakaj me të cilën familja Nikulaj ka pasur konflikte të vazhdueshme. Në Britani janë arrestuar shtetasit: Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Steven Hant dhe Harriet Bridgeman, e cila është lënë e lirë nga Gjykata britanike kundrejt një garancie pasurore të lënë nga i ati i saj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *