Analisti kap gabimin në mbledhjen e firmave për shkarkimin e Metës

Më herët u njoftua se 50 socialistë kanë hedhur firmën për të shkarkuar Metën, bashkëngjitur një sërë provash që sipas firmëtarëve vërtetojnë se presidenti ka shkelur Kushtetutën me deklaratat e tij politike. Më pas një detaj bëri xhiron e rrjetit, ku një prej firmave ishte vështirë për tu dëshifruar. Dhe më tej, ajo firmë nuk rezultonte më tek kërkesa zyrtare.

Ai që e ka pikasur këtë ‘gabim teknik’ është analisti Afrim Krasniqi. Nga numri rendor 14 kalohet tek numri rendor 16. Tashmë është zbardhur edhe dosja me 41 faqe që Partia Socialiste do të përdorë si “armë” kundër presidentit Ilir Meta.

PS ka konkretizuar nismën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra, ku janë 49 deputetë të Partisë Socialiste të Parlamentit aktual, që kanë firmosur dhe mbështesin me forcë kërkesën për të ngritur një Komision Hetimor kundër kreut të shtetit. Socialistët pretendojnë se presidenti Meta ka kryer shkelje të Kushtetutës, para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Statusi nga Afrim Krasniqi

Saktësia e numrave dhe etika institucionale kanë kohë që nuk respektohen, por si studiues do të doja që institucioni i Kuvendit të RSH dhe memoria shtetërore të jenë të paktën formalisht korrekte! Në parlament dhe në të gjitha mediat u raportua se 50 deputetë kanë iniciuar shkarkimin e Presidentit. Në fakt, në dokumentin origjinal të firmave janë 49 deputetë, pavarësisht se janë rreshtuar emrat deri tek numri 50.

Një lexim i kujdesshëm nxjerr në pah gabimin (me siguri, teknik), ku nga numri rendor 14 kalohet tek numri rendor 16. Thjesht, mungon numri 15! Po ashtu, disa emra deputetësh nuk janë të lexueshëm/të qartë, duke nxitur me të drejtë meme kritike në rrjetet sociale! Mirë deputetët që gabojnë, po Kuvendi dhe media si është e mundur që nuk i kushtojnë vëmendje minimale akteve të tilla, të cilat, duke adresuar shkarkimin e Presidentit janë dokumente me rendësi studimore, historike dhe shtetërore?

Akte të tilla, pavarësisht qëllimit dhe ecurisë, meritojnë seriozitet institucional dhe respekt për procedurat, për formën dhe gjuhën shqipe, për institucionin dhe për funksionin që ata përfaqësojnë. Ndaj, para se Kuvendi dhe Komisioni i Ligjeve të nis shqyrtimin procedurial, bëjnë mirë të kërkojnë rishkrimin dhe ridërgimin dokumentit duke përfshirë numrin 15 dhe emrat e lexueshëm të deputetëve, pasi kemi të bëjmë me gabime, të cilat edhe në klasën e parë apo të dytë të shkollës fillore vlerësohet me notë negative!


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *