Akuzohen për krime lufte, sot nis gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së

Ditën e sotme në Gjykatën e Hagës nis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të lartë të UÇK-së, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Ish-krerët akuzohen për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Dhomat e Specializuara të Kosovës njoftuan se është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.

Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale për këto krime.

Sipas njoftimit në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë. Sipas të dhënave të dhomave të specializuara, në proces do të dëshmojnë 140 persona. Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve, do të fillojë më 11 prill 2023.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *