119 kg kokainë në kontenierin me banane, skaneri në Durrës e nxori të pastër/ Si u transportua nga Italia

Policia ka dhënë detaje për operacionin e koduar “Romanati”, ku u sekuestruan 119 kg kokainë në një kontejner me banane në Tiranë, ndërsa janë arrestuar tre persona. .

Bëhet me dije se lënda narkotike e nisur nga Ekuadori ishte rreth 1 tonë, por një pjesë është marrë nga trafikantët në Itali.

Është e paqartë nëse sasia tjetër e kokainës që u kap në vendin tonë nuk u mor dot nga trafikantët për shkak të ndonjë ndërlikimi të situatës, apo nëse ka patur destinacion Shqipërinë.

Rezulton se nga kontrollet me skaner në Portin e Durrësit, kontejneri rezultoi i pastër, edhe pse brenda ishte kokainë, ndërsa kanë qenë vetë punonjësit e kompanisë së bananeve që kanë njoftuar policinë, pasi raportuan se ata u ndaluan në rrugë nga disa persona të armatosur dhe me maska, që kanë kontrolluar kontejnerin e më pa janë larguar.

Pas kontrolleve të policisë, u gjet edhe lënda narkotike. Në pranga kanë rënë Marson Murataj 34 vjeç administrator i një firme import-eksporti me vendet e Amerikës Latine, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu, drejtues të automjeteve të firmës.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Policia e Shtetit: Finalizohet operacioni policor i koduar “Romanati”, sekuestrohen 119 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Ndalohen 3 shtetas: Marson Murataj, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.

Strukturat hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit kanë marë informacion se disa persona ende të paidentifikuar kanë ndaluar në Romanat të Durrësit, një kamion që transportonte një kontenier të ngarkuar me banane nga porti i Durrësit, për një magazinë në Vaqarr.

Bazuar në informacionin e marrë, strukturat hetimore të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Romanati”.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve hetimore të koordinuara u bë e mundur gjetja e kontenierit të ngarkuar me banane. Gjatë kontrollit në brendësi të tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 119 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se konteineri ka kaluar tranzit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e plumçes (vulës), për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të arkave me banane. Pas këtij konstatimi kanë mbyllur dhe riplumbosur kontenierin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.

Konteineri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës.

Përgjatë rrugës nacionale Durrës – Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontenierin është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe kontenierin me banane dhe më pas janë larguar me shpejtësi pas kontrollit të kontenierit. Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit.

Në vijim të veprimeve, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u bë ndalimi i shtetasve:

Hasan Saliu, 63 vjeç dhe Gëzim Kalaja, 31 vjeç, banues në Tiranë, drejtues të automjeteve të firmës.

Marson Murataj, 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme import-eksporti me vendet e Amerikës Latine.

Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë ushtruar kontroll në kamionin që transportonte kontenierin me lëndë narkotike.

Ndërkohë, në bashkëpunim me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtj rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *