1-vjeçari infektohet me HIV në spital, prindërit nxjerrin mesazhet me mjekët, Prokuroria u mbyll dosjen: S’i nisim hetimet

Në datën 1 dhjetor u dha lajmi se mes të infektuarve me HIV/AIDS ishte dhe një foshnjë e porsalindur. Në datën 28 nëntor të vitit 2021, fëmija u sëmur me bronshit vetëm 1 muaj pas lindjes dhe u shtrua në reanimacionin e pediatrisë në Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.

Foshnja qëndroi i shtruar për gati 10 ditë dhe pas daljes nga spitali shëndeti nuk u përmirësua. Disa ditë pas daljes nga spitali, fëmija shfaq papritur një temperaturë 39 gradë, e cila i alarmoi prindërit. Deri në muajin mars të 2022 fëmija iu nënshtrua një sërë ekzaminimesh nëpër spitale. Pa dijeninë e prindërve një prej këtyre ekzaminimeve ishte edhe analiza për HIV/AIDS.

“Nga momenti që ka lindur derisa është diagnostifikuar djali ka qëndruar më shumë në spital, në reaminacionin e spitalit në QSUT. Ka një epikrizë të lëshuar nga mjekja, e cila hedh dyshime mbi imunodeficencë. Pse nuk e ka bërë më parë analizën? Infektimi ka disa etapa. Ka temperaturë të çuditshme, diarre e vazhdueshme, humbje peshe. Hetimi ka zgjatur vetëm 20 ditë që e kemi kërkuar dhe raporti është zhvilluar në qershor. Në Shqipëri nuk ndiqet protokoll për rastin e HIV, ka ardhur PCR në Turqi, ishte pozitive. Nuk kundërshtohet, por mjeku nuk u mjaftua dhe këmbëngulte se djali nuk e ka dhe mendoi se ishte cross-COVID. Një kryqëzim le të them, pra një pozitiv falso. Prandaj u bënë edhe 10 teste. Nuk ia fal vetes se shpirti,”-thonë prindërit e të miturit e infektuar nga HIV-AIDS.

Prindërit kanë ngritur një padi ndaj spitalit, por prokurori Saimir Hysa ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Ndërsa në dokumentin zyrtar të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës shkruhet: “Kallëzuesit kanë paraqitur kallëzim ndaj të kallëzuarve duke pretenduar nga ana e tyre se janë kryer veprime të kundërligjshme, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtimin e jetës së fëmijës së tyre, të palindur ende. Kallëzuesit parashtrojnë se nga ana e stafit të Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe spitali padiatrik pranë QSUT janë kryer veprime, të cilat kanë dëmtuar jetën e një foshnje të palindur ende. Pasoja ka ardhur si rezultat i neglizhencës së stafit të këtyre institucioneve”.

Por sipas prindërve hetimet janë mbyllur dhe aryseja ishte se fëmija nuk kishte lindur ende kur pretendohet se është infektuar.

Ne nuk na kanë marrë në pyetje, por prokurori nuk ka kryer asnjë hetim,“-shtojnë prindërit e të miturit.

Në 10-mujorin 2022 u identifikuan 80 raste të reja, mes tyre 2 fëmijë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ku u identifikuan 91 raste, shifra është pak më e vogël, por nuk kishte ndodhur të infektoheshin fëmijë të moshave të tilla, e me prindër negativë. Ngjarjen familjarët e cilësojnë tepër të rëndë dhe nënvizojnë se nuk kanë gjetur zgjidhje nga autoritetet shqiptare, ndërsa shprehen se nga kjo situatë u është shkatërruar jeta.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *