Zgjedhjet e 25 prillit/ BIRN: Në Lezhë, PD i mori një mandat LSI-së

Partia Demokratike mori 34 mijë vota në zgjedhjet e qarkut Lezhë më 25 prill, duke rrëmbyer katër mandate deputetësh, fitorja më e thellë e kësaj partie që nga viti 2013, ndërsa PS humbi 3 mijë vota dhe u favorizua nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese të socialistëve për të ruajtur rezultatin e mëparshëm.

Zgjedhjet e këtij viti në qark ishin shumë më të qeta se sa më 2013 dhe 2017 ndërsa pjesëmarrja ishte pothuajse e njëjtë me vitin 2017. Gjithsej 45% e popullsisë me të drejtë vote u paraqit në kutitë e votimit.

Në nivel bashkish, socialistët humbën me një diferencë të ngushtë votash në Lezhë ndërsa fitorja e PD ishte më e thellë në Mirditë dhe Laç.

Socialistët arritën të ruajnë tre mandate në qark, aq sa kishin marrë më 2017 dhe më 2009, por mandati i tretë i tyre erdhi si pasojë e garimit më vete të dy partive opozitare, PD dhe LSI. LSI mori 7400 vota ose një mijë vota më pak nga sa i nevojiteshin për të marrë mandat por në rast se këto dy parti do të garonin bashkë, atëherë ndarja e mandateve do të ishte 4 me 2 për opozitën.

Ish-ushtaraku Kastriot Piroli rezultoi politikani më popullor në qark me mbi 9 mijë vota pëlqyese personale pasuar nga Eduard Ndreca i PS me 7200 vota pëlqyese.

Ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla është gruaja më e votuar në Lezhë me 5100 vota ndërsa Shpresa Marnoj, një ekonomiste nga Laçi, rezultoi e dyta më e votuar me gati 3200 vota.

Nga demokratët, Elda Hoti, deputete zëvendësuese nga viti 2019, ishte më e votuara nga kandidatet gra me 2700 vota, pasuar nga Lindita Metaliaj me 2,300. Por sistemi aktual bën që Elda Hoti të mos zgjidhet deputete sepse është në vend të nëntë në listën e partisë ndërsa Metaliaj është në vend të tretë.

Rreth 70% e votuesve të PS-së dhe 85% e atyre të PD-së zgjodhën të hedhin një votë pëlqyese për kandidatët.

Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Lindita Metaliaj dhe Kastriot Piroli do të jenë deputetët e PD-së për katër vitet e ardhshme nga Lezha ndërsa Lindita Nikolla, Eduard Ndreca dhe Shpresa Marnoj do të jenë për socialistët.

/Burimi: BIRN/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *