Vuçiç dhe Hill pajtohen që përpjekjet të përqendrohen në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, u pajtuan që të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, u tha në njoftimin e lëshuar nga Presidenca serbe, pas takimit midis Vuçiqit dhe Hillit më 23 maj.

“Bisedimet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet e hapura, si dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe.

Sipas njoftimit, ambasadori Hill theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin me partnerët e BE-së në drejtim të vazhdimit të dialogut, që do të sjellë rezultate konkrete. Ai po ashtu përsëriti mbështetjen e SHBA-së për integrimin evropian të Serbisë dhe shteteve të tjera të rajonit dhe pozicionin e Uashingtonit se BE-ja duhet të zgjerohet.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve më 2011. Deri më tani janë arritur mbi 30 marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.

Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në qershor të vitit 2021.

Presidenca serbe tha se Vuçiq gjatë takimit me ambasadorin Hill ka “theksuar përpjekjet e Serbisë që kanë për qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe ka thënë se “Serbia është nismëtare e disa projekteve që lidhin në mënyrën më të mirë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Ne po ashtu mbështesim nismën ‘Ballkani i Hapur’ dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë që kjo nismë të zhvillohet më shpejt”, citohet të ketë thënë ambasadori Hill.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.Iniciatorët e Ballkanit të Hapur deri më tani nuk ia kanë dalë që t’i bindin edhe tri shtetet e rajonit – Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën – të bëhen pjesë e kësaj iniciative.Kjo nismë ka për qëllim të lehtësojë lëvizjen e kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *