Vrasësi gjakftohtë/ Pagoi 30 mijë euro për ta vrarë, më pas “Babisi” i Prishtinës organizoi varrimin e gruas

Vrasja e Liridonë Murselit ka marrë sot një tjetër kthesë, të denjë për një skenar filmi! E ngjashme me vrasjen që bëri bujë në Greqi, Charalambos (Babis) Anagnostopoulos, me profesion pilot vrau gruan e tij 20-vjeçare Caroline Crouch. 30-vjeçarja mbeti e vrarë mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë. Ajo udhëtonte me makinë me bashkëshortin e saj Naim Murseli dhe dy fëmijët e tyre të vegjël. Një person u doli para dhe u kërkoi që t’i jepnin sendet me vlerë. Por në rrethana të paqarta, teksa Naim Murseli mori dy fëmijët, bashkëshortja e tij 30-vjeçare u qëllua për vdekje. Një ngjarje, rrethanat e së cilës që në fillim ishin të paqarta, por që me kalimin e orëve nisën të merrnin një tjetër kthesë.

Shumë shpejt nëpër rrjetet sociale, por edhe mediat në Kosovë, ekspertë të fushës hodhën dyshimet se vrasja mund të ishte e inskenuar. Dyshimet kryesore ranë mbi bashkëshortin e viktimës. E pa u bërë ende 48 orë nga ngjarja e rëndë, policia në Kosovë vuri në pranga dy persona, një prej të cilëve pikërisht bashkëshortin e saj Naim Murseli. Ndërsa i arrestuari tjetër është Granit Plava, “grabitësi” që qëlloi mbi të renë.

“Autori thotë se u pagua nga Naim Murseli për ta privuar nga jeta Liridonën”, shkruajnë mediat në Kosovë, duke shtuar se 33-vjeçari Naim Murseli dyshohet se e pagoi 30 mijë euro bashkëfshatarin e tij për të kryer vrasjen.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë“, tha në një reagim zyrtar policia e Kosovës.

Nga kjo e fundit nuk ka shumë detaje ende, ndaj mbetet për t’u parë se cilat janë provat që i çuan hetuesit tek dy autorët e dyshuar. Besohet se policia ka mundur të sigurojë pamjet kur dy autorët e dyshuar takohen para krimit. Edhe komunikimi i fundit në telefon i Murselit rezulton të jetë pikërisht me personin e pajtuar prej tij. Për arrestimin e dy personave në fjalë reagoi edhe prokuroria e Prishtinës.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *