Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre. Duke ju përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë amerikane për të mikpritur persona, jetët e të cilëve kërcënohen nga talebanët, qeveria shqiptare u shpreh fillimisht se ishte e gatshme të strehonte disa qindra. Ndërsa prej javës së shkuar fluturime të shumta të planifikuara për të udhëtuar drejt Shqipërisë u anulluan si pasojë e kaosit në kreyqytetin afgan dhe aeroportin e tij, autoritetet shqiptare janë shprehur se do të presin disa mijëra. Një ditë më parë në një intervistë për televizionin CNN, kryeministri shqiptar Edi Rama foli për të paktën 4 mijë persona.

Pas mbërritjes në aeroport, grupi i qytetarëve afganë do të qëndrojë fillimisht në tendat e ngritura posaçërisht pranë aeroporti ushtarak, ku atyre do t’ju ofrohet dhe asistenca e parë mjekësore, ndërsa do të kryejnë dhe formalitetet burokratike. Sipas një vendimi të miratur të mërkurën nga Qeveria shqiptarëve, qytetarëve afganë do t’u ofrohet statusi i “mbrojtjes së përkohshme”. Po sipas këtij vendimi ata mund të qëndrojne deri në 1 vit në Shqipëri.

/Marrë nga VOA/