VIDEO/ Punimet në aeroportin e Vlorës, Rama zbarkon në terren

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një nga investimet strategjike më të mëdha për turizmin dhe ekonominë shqiptare.

Projekti po merr formë në terren dhe do të funksionojë mbi 3 modele biznesi: Aviacioni civil, mirëmbajtje e avionëve dhe një kargo e mirëfilltë e cila i mungon shtetit shqiptar.

Në kantierin e hapur të kësaj vepre madhore ishte sot Kryeministri Edi Rama për të inspektuar ecurinë e punimeve. Aktualisht ka përfunduar gërmimi total i pistës me gjatësi 3.2 km dhe gjerësi 60 m, që do të mundësojë uljen e avionëve me kapacitet të madh, si dhe udhëtimet transoqeanike.

“Jemi në kantierin ndërkombëtar të Vlorës, kemi nisur punimet këtu sic e dinë të gjithë në 28 nëntor të vitit të kaluar, pra para disa muajsh, megjithatë ecuria është e kënaqshme Do të kujtojmë që kjo do të jetë pista më e gjatë në Republikën e Shqipërisë, pra 3.2 km, duke përmbushur kështu një kusht për kategorinë 4 E të këtij aeroporti. Aeroporti vetëm në territorin tonë i 4 E akomodon dhe fluturime transoqeanike” – shpjegoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Ndërsa menaxherja e projektit detajoi punimet e deritanishme, duke pohuar se ritmet janë të kënaqshme. “Deri më sot kemi hapur 3.2 km në tërësi të gjithë pistës. kemi filluar Me hapjen e taxi way-t, tani kemi arritur 1.8 km. Kemi bërë lidhjen e parë të pistës 160 metra me taksi way. Kemi hapur në total 45 km kanale kulluese, të cilat na ndihmojnë në pjesën paraprake. Kemi filluar hapjen perimetrale të rrethimit të aeroportit 1.5 km, gjë që jemi goxha kënaqshëm. Jemi duke bërë mbushjen me gjeotekstil të pistës. Kemi ngritur kantierin, që është pjesë e infrastrukturës që na ndihmon.” – u shpreh ajo.

Zoti Behgjet Pacolli, i cili ishte i pranishëm në këtë vizitë u shpreh se tashmë gjithçka është gati dhe kantierit nuk i mungon asgjë për të vënë në zbatim këtë vepër madhore. “ Kemi të gjitha ato që i nevojiten një kantieri për të funksionuar për një numër punëtorësh deri në 600 veta kemi hapësira ku punojnë nënkontraktorët, kemi hapësira për konferenca, hapësira për të punuar, zyrat, pikën medicinale, mjekun, fjetjen për mbi 100 persona, për ata që duan të flenë këtu dhe zyrat normalisht. Herën tjetër, vizita tjetër, ne do të demonstrojmë me dron, nuk do të kemi nevojë fare të shkojmë në kantier, drejtpërsëdrejti.” – tha ai.

VIA do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Aeroporti i Vlorës do të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s. Në këtë mënyrë, konkurrenca midis VIA dhe TIA do të ulë çmimet e fluturimeve, që do rezultojë dhe në rritjen e numrit total të pasagjerëve.

Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë Jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.

Me veprimtarinë e Aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *