Vettingu, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e dy prokuroreve

Prokurorja e Tiranës, Armida Hamiti (Moçka) u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 21 dhjetor 2022, pasi u aplikua parimi i proporcionalitetit lidhur me gjetjet në kriterin e pasurisë, duke konkluduar se ajo kishte arritur nivel të besueshëm në këtë kriter rivlerësimi. Po ashtu, Hamiti mori vlerësim pozitiv për figurën dhe profesionalizimin.

Por vendimi i Komisionit nuk vlerësohet i drejtë nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili çmon se përfundimet e arritura nuk janë në pajtueshmëri me provat e administruara në shkallën e parë të vetingut, e për rrjedhojë ky vendim është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu nënshtruar kontrollit në Kolegj.

Ai vëren se, nëpërmjet verifikimit të pasurive synohet identifikimi i magjistratëve që zotërojnë pasuri të paligjshme apo që ligjshmëria e të cilave vihet në dyshim, pavarësisht nëse burimet financiare nuk lidhen drejtëpërdrejt me ushtrimin e detyrës, apo rezulton të jenë krijuar përpara ushtrimit të funksionit.

Gjatë seancës dëgjimore ne Komision më 19 dhjetor 2022, prokurorja Hamiti dha shpjegime më së shumti për burimet e një apartamenti në Vlorë të regjistruar në emër të saj, pasuri për të cilën pretendoi se e kishte në bashkëpronësi me anëtarët e familjes së origjinës dhe se ishte blerë me të ardhurat e siguruara prej prindërve nga bujqësia e blegtoria, përpara se ajo të fillonte detyrën.

Po ashtu, ajo pretendoi se edhe një pjesë e çmimit të një garazhi ishte paguar nga i njëjti burim financiar. Hamiti kërkoi që të mos penalizohej për pasuri të krijuara përpara fillimit të detyrës.

Po sot, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh me konkluzionet përfundimtare në çështjen lidhur me ankimin e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa kundër konfirmimit në detyrë të prokurores së Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo).

Komisioneri Ballhysa vërejti se subjekti kishte arritur të provonte disa prej pretendimeve të saj lidhur me të ardhurat e bashkëshortit nga punësimet në disa kompani, që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Megjithatë, ai vlerësoi se ajo gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për një pjesë të këtyre burimeve. Në vijim, ai u qëndroi parashtrimeve se subjekti rezultonte në pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti në Kavajë dhe shpenzimet në një vit, pasi nuk kishte deklaruar pakësimet e gjendjes cash.

Prokurorja Xhengo, nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor, avokatit Julian Mërtiri, i kundërshtoi konkluzionet e komisionerit lidhur me të ardhurat e bashkëshortit, duke kërkuar të konsideroheshin të gjitha vlerat e përfituara faktikisht, duke argumentuar se nuk kishte qenë në dijeni për shmangien e detyrimeve për një pjesë të pagës nga ana e ish-punëdhënësve. Mërtiri e cilësoi të pavërtetë konstatimin e Ballhysës se subjekti nuk kishte deklaruar burimin e apartamentit në Kavajë, ndërsa mospasqyrimin e pakësimit të gjendjes cash e konsideroi si një pasaktësi të pashoqëruar me pamundësi financiare dhe duke ju referuar jurispudencës së KPA-së, kërkoi që këto likujditete të përfshihen në analizën financiare. Subjekti kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të saj, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit./BIRN

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *