Vendimi i KAS për regjistrimin e PD në zgjedhjet e 14 majit, reagon Enkelejd Alibeaj

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas vendimit të KAS që detyroi KQZ-në të regjistrojë këtë forcë politike në zgjedhjet e 14 majit.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Alibeaj bën përgjegjës për vonesën dy javore për regjistrimin e PD-së kryekomisionerin Ilirjan Celibashin, ndërsa shton se vendimi i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD-në në zgjedhjet lokale.

Teksa u ka bërë thirrje që demokratët të dalin të bashkuar dhe me një kandidat në zgjedhje, ai thekson se PD duhet t’i lërë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe duhet të bëhet bashkë për të mundur regjimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vonesa gati dy javore për këtë proces, me autor kryekomisionerin Celibashi është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese.

Me këtë rast, edhe njëherë ftojmë të gjithë kandidatët demokratë, pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale. Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës”, shkruan Alibeaj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *