U tërhoq nga zgjedhjet në Turqi, rivali i Erdogan: U përballa me fushatë shpifjesh

Kandidati presidencial turk Muharrem Ince është tërhequr nga gara përballë presidentit Erdogan. Ince kishte numër të ulët të sondazheve dhe disa figura të opozitës kishin frikë se ai do të ndante votat me Erdoganin.

“Unë po tërhiqem nga kjo garë. Unë po e bëj këtë për vendin tim”, tha ai në një konferencë shtypi në Ankara, duke shtuar se ishte përballur me një “fushatë shpifjesh”. Megjithatë, emri i Ince do të mbetet në fletëvotim.

Sipas tij, opozita do e bënte fajtor për humbjen e zgjedhjeve përballë Erdogan, ndaj ai preferoi të tërhiqej.

“Nuk dua të më fajësojnë mua kur humbasin”, tha ai duke iu referuar opozitës kryesore.

Partia e tij e qendrës, Atdheu, do të mbetet në garën parlamentare. “I bëj thirrje secilës familje t’i japë Partisë Atdheu të paktën një votë,” tha ai.

Ince nuk mbështeti asnjë nga kandidatët e mbetur.

59-vjeçari kandidoi për president në vitin 2018, por humbi kundër Erdoganit. Në mars të këtij viti, ai u shkëput nga Partia Popullore Republikane (CHP) e Kilicdaroglu dhe iu bashkua garës presidenciale. Ai fillimisht hodhi poshtë thirrjet e ish-partisë së tij për t’u tërhequr mes shqetësimit se do t’i hiqte votat rivalit të Erdoganit.

Duke folur në një tubim në Ankara, Erdogan tha se do të donte që Ince të mos ishte tërhequr, duke shtuar se është “e pamundur të kuptohet pse” ai u tërhoq.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *