Tritoli në makinë/ Prokurori: Sulmi lidhet me detyrën time

Mjeti i prokurorit Arjan Muça u bë shënjestër i një shpërthimi me tritol mbrëmjen e së enjtes. Makina gjendej e parkuar në një qendër tregtare në “Komunën e Parisit”, dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar, veç dëme materiale. Lidhur me këtë ngjarje, prokurori Arjan Muça është shprehur se mjeti që iu vu tritoli ishte në pronësi të tij, mirëpo nuk ka asnjë konflikt me njeri.

Po sipas tij, sulmi është i lidhur me detyrën e tij si prokuror. Kjo ishte një pjesë nga dëshmia që prokurori Arjan Muça ka dhënë para uniformave blu, teksa u mor në pyetje pas sulmit me tritol që i vendosën në mjetin e tij. Nisur nga deklarimet, policia e ka referuar çështjen për “shkak të detyrës” dhe po heton në këtë drejtim.

Në pyetje do të merret dhe bashkëshortja e prokurorit, e cila po ashtu përdorte mjetin. Muça bëri të ditur se mjetin ka dy vite që e ka në pronësi, si dhe vendi ku parkohet është i njëjtë prej vitesh.

Lënda plasëse është vendosur në parakolpin e mjetit, duke mos e shpërthyer tërësisht atë. Muça është komanduar së fundmi në Tiranë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pasi më herët ka qenë prokuror në Gjirokastër. Ai bën raportet për gjyqtarë e prokurorë që kalojnë në Vetting. Mësohet se edhe bashkëshortja e tij  Gentiana Muça, është gjyqtare në Gjykatën Administrative të Tiranës. Grupi hetimor ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë, për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *