Tregu i internetit fiks iu kthye rritjes në tremujorin III, numëron mbi 611 mijë abonentë

Numri i abonentëve të internetit nga linjat fikse iu kthye rritjes në tremujorin e tretë të vitit.Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve në fund të muajit shtator arriti në pak më shumë se 611 mijë, në rritje me 1.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 7.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vitet e fundit, tregu i internetit nga linjat fikse ka ndjekur një tendencë të qëndrueshme në rritje, edhe për shkak të një baze relativisht të ulët dhe prapambetjes në depërtimin e linjave fikse. Tashmë, AKEP vlerëson se tashmë norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte mbi 81% për familje, megjithatë ky raport mbështetet në numrin e përgjithshëm të abonentëve, duke përfshirë edhe bizneset. Nga ana tjetër, sipas burimeve nga tregu, disa operatorë kanë tendencën të raportojnë shifra më të larta të abonentëve nga sa kanë në të vërtetë, kryesisht duke mos reflektuar në statistika abonentët që largohen drejt kompanive të tjera. Për këto arsye, depërtimi real i internetit mund të jetë disi më i ulët nga sa tregojnë statistikat.

Megjithatë, tregu në përgjithësi po shfaq rritje dhe konkurrencë të lartë, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh. Gjithashtu, gradualisht operatorët kanë përditësuar infrastrukturën drejt teknologjive më të reja, të fibrës optike, që ka ndikuar në rritjen e shpejtësisë mesatare të lidhjes për përdoruesit.

Volumi i tregut të shërbimeve të komunikimit nga rrjetet fikse vitin e kaluar arriti në afërsisht 11 miliardë lekë, me një rritje prej 14.5% krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave nga AKEP, One Albania këtë vit ka rimarrë sërish kryesimin e tregut, pas e humbi për një periudhë të shkurtër vitin e kaluar. Në fund të 9-mujorit 2023, One Albania raportonte më shumë se 135 mijë abonentë, me një rritje prej 20.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër përbën afërsisht 22.1% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të tregut. Megjithatë, pjesërisht rritja e One Albania ka ardhur kryesisht për shkak të riklasifikimit që u ka bërë abonentëve të shërbimit të saj të internetit në shtëpi nga rrjeti i lëvizshëm (HomeNet), bazuar edhe në metodologjitë e klasifikimit të ndjekura nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU).

Operatori One Albania lindi këtë vit nga bashkimi mes kompanive One Telecommunications dhe Albtelecom, pas blerjes së tyre nga grupi hungarez 4iG. Ndërkohë që në segmentin celular kompania e re ka kaluar vështirësi, në segmentin fiks shifrat tregojnë një tendencë në përmirësim.

Vodafone Albania është operatori i dytë më i madh fiks, me një diferencë të ngushtë. Në fund të tremujorit të tretë, Vodafone raportonte 128 mijë abonentë ose 21% të totalit të tregut.

Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg, megjithëse në vitet e fundit e kanë rritur pjesën e tyre të tregut, të marra së bashku. E treta pozicionohet ASC (Tring), me 9.8% të numrit të abonentëve, e ndjekur nga Abissnet, me 7.2% dhe Digicom, me 25%.

Në treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonale dhe lokalë, që, të marrë së bashku, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë diçka më pak se 28% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *