Tentoi të korruptonte efektivët e policisë në portin e Durrësit, arrestohet një person (Ja çfarë iu sekuestrua)

Vijojnë kontrollet në pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat, në PKK Port Durrës dhe në PKK Rinas janë goditur 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër. Të arrestuarit në PKK Durrës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar dhe një armë të ftohtë. Si rezultat i kontrolleve, për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që tentojnë të kalojnë kufirin me dokumente false apo duke mbajtur me vete sende të jashtëligjshme, në PKK Port Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin A. E., 45 vjeç, lindur në Egjypt dhe banues në Itali. Ky shtetas ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Kufitare në PKK Port Durrës, për të kaluar kufirin me dokumente italiane të dyshuara të falsifikuara. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një armë e ftohtë (biçak), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me kartëmonedhën euro dhe dokumentet false. Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funkisone publike”, shtetasin P. K., 54 vjeç, banues në Tropojë. Ky shtetas, pas refuzimit për dalje nga Shqipëria, për shkak të mungesës së dokumentacionit, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Kufitare, duke u ofruar dy kartëmonedha të prerjes 50 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorive respektive, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *