Takimi me Escobar/ Alibeaj zbardh detaje nga biseda

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka zbuluar bisedën që ka zhvilluar me zyrtarin e lartë amerikan, Gabriel Escobar, gjatë takimit në Tiranë.

Përmes një interviste, Alibeaj u shpreh se i ka treguar Escobar të gjitha shkeljet e qeverisë, duke nisur nga aplikacioni “Aktivisti”, terrori mbi administratën dhe ndërhyrja në procesin zgjedhor.

Alibeaj tha se zgjedhjet në Shqipëri vidhen e blihen nga qeveria, duke përdorur edhe shantazhe ndaj qytetarëve.

“Nuk është takimi i parë me Escobar për PD-në. PD ka lindur me bekimin e SHBA-ve dhe marrëdhëniet e saj me SHBA-në janë speciale. Nuk bëhet fjalë për marrëdhënie të informacionit politik, por SHBA është vetë frymëzimi i kombit tonë.

Partinë e bëjnë bartësit e atyre vlerave mbi të cilat u themelua partia para 32 vitesh. Ishte një mbështetje e pastër dhe e qartë që SHBA i jep PD-së, demokratëve dhe shqiptarëve. Nuk e fsheh fare që mbështetja e tyre është impuls i fortë. Ky ishte thelbi i diskutimeve me Escobar, por edhe për zgjedhjet e 14 majit. I shpjegova refuzimin e mazhorancës për rekomandimet tona që kemi çuar në komision. I bëra me dije të gjitha shkeljet, jo vetëm morale e politike që kjo qeveri po bën.

Shkelja sistematike e të dhënave personale me Aktivistin e famshëm, shantazhet dhe terrori në administratën publike që ka marrë urdhër për të bërë vota për qeverinë. Rritjet e pagave e pensioneve, tenderët e pafundëm të kësaj qeverie që i ka lansuar tani. Të gjitha këto janë simptoma më e qartë e dukshme që kjo qeveri zgjedhjet i vjedh, i blen dhe shantazhon qytetarët. Procesi zgjedhor është proces i partive politike dhe i qytetarëve mbi të gjitha”, tha ai.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *