Sulmi me një viktimë në TCH/ Policia jep detaje: ‘Range Rover-i’ rezulton…

Policia e shtetit ka njoftuar ditën e sotme se targat e mjetit të autorëve të sulmit me armë ndaj “Top Channel” ‘AA 456 HC’ u vodhën në Tiranë në 31 dhjetor. Ndërsa vetë automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale  të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë.

Blutë bëjnë me dije se kanë pyetur në cilësinë e ‘personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin’, të gjithë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes, si dhe disa persona të tjerë të Kavajë e Vlorë.

Njoftimi i policisë:

“Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se në orën 00:27 të datës 27.03.2023, automjetit i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit.

Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e qujatur “Përroi i Agait”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e ndodhur, në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe janë organizuar pika kontrolli në të gjitha akset rrugore të vendit.

U formua grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe u kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në vendin e ngjarjes dhe në vendin e djegies së automjetit.

Nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private  përrreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët. Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjetit i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.

Janë pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, të gjithë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes, si dhe disa persona të tjerë të evidentuar nga Policia, në Kavajë, Vlorë etj.

Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se  autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër. Për provat e tjera të sekuestruara janë përgatitur vendimet e ekspertimit dhe nga Instituti i Policisë Shkencore vazhdon puna për ekzaminimin e tyre.

Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale  të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë  kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *