Sulmi me armë në “Top Channel”/ Shoqërohet në polici ish-dhëndri i viktimës

Sulmi me armë zjarri ndaj televizionit kombëtar “Top Channel” ka ‘ngritur në këmbë’ policinë, e cila po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Roja i objektit, 60-vjeçari Pal Kola, mbeti i vrarë nga ky sulm.

Aktualisht dyshohet se atentati është organizuar nga një grup kriminal. Por, pavarësisht tyre, policia ka shoqëruar dy persona nga Shkodra (njëri prej tyre ish-dhëndri i Pal Kolës).

Dy personat janë ndaluar në orën 03:00 të mesnatës, dy orë pas ndodhjes së ngjarjen në ambjentet e “Top-Channel” në Tiranë. Ndalimi i tyrë është kryer në ikje e sipër, ku një patrullë e skuadrës “Shqiponja” ndaloi makinën.

Për shkak se dy personat nga qyteti i Shkodrës kanë dhënë dëshmi kontradiktore, ata janë shoqëruar në ambjentete policisë.

Vetëm në orët e mëngjesit, policia kriminale ka zbuluar se njëri nga personat e ndaluar rastësisht në orët e mesnatës në Vlorë, është ish-dhëndri i viktimës Pal Kola.

Roberto Papçi nga qyteti i Shkodrës dy vite më parë është divorcuar nga vajza e Kolës, që mbeti viktimë në parkimin e televizionit “Top Channel”.

Mësohet se çifti ka pasur konflikte për ndarjen dhe kujdestarinë e fëmijëve, por deri në këtë fazë të hetimit kjo mbetet vetëm si pistë për tu hetuar.

Fakti që Pal Kola, është qëlluar në ambjentet e parkimit të televizionit, ngre dyshime se ai mund të ketë qënë objekt i këtij sulmi. Por, nga ana tjetër, dëmtimi i fasadës së xhamit dhe vendrojes, ngre njëherësh dyshime se objektiv i sulmit mund të ketë qenë pikërisht Top-Channel.

Ndalimi i tyre është kryer vetëm për verifikim, por në orët e drekës policia kriminale ka urdhëruar transferimin e Roberto Papçit dhe shokut të tij në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Grupi i hetimit që po ndjek ngjarjen e rëndë, ka marrë në pyetje Papçin por ky i fundit nuk ka pranuar të ketë lidhje me ngjarjen.

Para oficerëve të policisë, Papçi ka dhënë dëshmi të shkurtër, duke treguar se ka shkuar në Vlorë për qejf.

Ndërkohë të dyve personave u është bërë testi i faktorëve plotësues, me qëllim gjetjen e grimcave të barutit të djegur në duar dhe rrobat e tyre. Deri mëngjesin e sotëm, policia ende nuk është njohur me rezultatin e kësaj analize.

4 aparatet telefonike të sekuestruar dy personave po i nënshtrohen një ekzaminimi kompjuterik.

Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërsa prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një ose më shumë personave”./Oranews/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *