Sulmet kibernetike në Shqipëri, presidenti Begaj mbledh sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj do të mbledhë ditën e sotme Këshillin e Sigurisë Kombëtare mbi çështjet për sulmet kibernetike.

Mësohet se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë e cila pritet të fillojë në orën 11, është konfirmuar pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama, ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Sakaq pritet të jenë edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Kujtojmë se Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike nga Irani në një kohë të shkurtër brenda pak muajve! Sulmi i parë kibernetik ndodhi në mes të muajit korrik të këtij viti, ku u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat nuk funksionuan për 4 ditë. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u arrit në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Ndërsa më 10 shtator, u sulmua sistemi TIMS. Ky sulm ‘paralizoi’ për disa orë pikat e kalimit kufitar të të gjithë vendit, në Rinas, Kakavijë, e Kapshticë, ku policia hapi regjistrat duke punuar manualisht.

Shqipëria akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online. Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, për shkak të këtij sulmi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *