Sot në vend/ Protestë kombëtare dhe gjyqi për vulën e PD

Opozita do të zhvillojë mesditën e sotme protestën e radhës kombëtare në vend. Tubimi është njoftuar të mbahet në orën 12:00. Sakaq po sot gjykata e Apelit pritet të japë vendimin sa i takon vulës së Partisë Demokratike.

Kreu demokrat Sali Berisha ka mohuar që kjo protestë të ketë lidhje me vendimin e gjykatës. Sipas tij ajo po mbahet vetëm kundër kryeministrit Rama.

Mësohet se një pjesë e demokratëve dhe mbështetësve të kryedemokratit Sali Berisha do të mblidhen fillimisht në selinë blu, ndërsa pjesa tjetër e protestuesve do të jenë të shpërndarë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Me daljen e Berishës dhe të kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta nga zyrat përkatëse, do të gjithë do të marshojnë drejt Kryeministrisë, aty ku pritet të jetë dhe kulmi i protestës.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se nga ora 10:00 deri në përfundim të tubimit do të bllokohen këto rrugë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *