Sms e forcave politike ndaj qytetarëve/ Reagon Komisioneri për të Drejtën e Informimit

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar lidhur me dërgimin e mesazheve zgjedhore nga forcat politike për zgjedhet e 14 majit.

Në deklaratë bëhet thirrje që të ndalohet menjëherë çdo përpunim i paligjshëm i të dhënave personale. Sipas Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dërgimi i këtyre mesazheve konsiderohet si përpunim i paligjshëm i të dhënave personale.

Deklarata e plotë:

Ditët e fundit është konstatuar një dërgim masiv mesazhesh të një subjekti zgjedhor në drejtim të qytetarëve nëpërmjet shërbimit të telefonisë së levizshme. Kjo veprimtari konsiderohet përpunim i paligjshëm i të dhënave personale dhe vjen në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur në dispozicion të partive politike dhe të çdo subjekti zgjedhor, por edhe të gjithë publikut Udhëzuesin “Për përpunimin e të dhënave personale në kontekstin e fushatave zgjedhore”. Në këtë dokument shpjegohet edhe më qartë qasja në raport me përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale.

Zyra e Komisionerit do të hetojë çdo rast të shkeljes së ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” nga çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik. Zyra e Komisionerit, gjithashtu, u bën thirrje të gjithë subjekteve zgjedhore të ndalojnë menjëherë çdo përpunim të paligjshëm të të dhënave personale.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *