Shtyhet seanca për biznesmenin turk të kriptomonedhave, avokati: Kërkojmë proces të rregullt gjyqësor

Është zhvilluar ditën e sotme në Gjykatën e Elbasanit seanca për ekstradimin e bosit turk të kriptomonedhave, Faruk Ozer, i cili akuzohet se ka përfituar 2 miliardë dollarë përmes mashtrimit me kriptovalutat.

Pritej që ditën e sotme të vendosej ekstradimi i tij drejt Turqisë, ndërsa bëhet me dije se seanca është shtyrë për shkak se prokurori solli prova të reja dhe avokati Klodian Skënderi kërkoi më shumë kohë për njohjen me materialet e dosjes.

Në një prononcim për mediat, avokati i Ozer, u shpreh se ka një nxitim nga ana e autoriteteve shqiptare për një ekstradim sa më shpejtë por, nënvizoi se klienti i tij ka të drejtën e një procesi të rregullt gjyqësor.

“U parashtruan disa kërkesa procedurale nga ana ime, pati debate. Ne insistojmë që në ngarkim të shtetasit që unë përfaqësoj të zhvillohet një proces i rregullt gjyqësor. Nuk mundet që në seanca ekstradimi të ketë ngut. Nuk e kuptoj pse është tërë ky ngut nga ana e Gjykatës. Ne për këtë punë jemi këtu, të garantojmë interesat e ligjshme të shtetasve”, deklaroi avokati Skënderi.

Kujtojmë se biznesmenit turk u arrestua më 30 gusht të këtij viti teksa ishte duke pushuar në plazhin e Himarës. Shtetasi turk, themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliardë dollarësh nga 391 mijë investitorë.

Ozer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, ndërsa Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar ndaj tij urdhër arresti në vitin 2021, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *