Shefja e USAID premton mbështetjen amerikane për bisedimet Kosovë–Serbi

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, premtoi të mërkurën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Serbinë dhe Kosovën, ndërsa dy vendet armike të kohës së luftës punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet në një kohë tensionesh të rritura.

Do të duhet guxim politik për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, të pranueshme për të dyja palët, por mbështetja nga Shtetet e Bashkuara do të jetë e palëkundur në javët e ardhshme, ndërsa Serbia dhe Kosova punojnë për të hedhur hapat e ardhshëm”, u tha zonja Power gazetarëve në Beograd.

Zonja Power foli pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Bërnabiç. Nga Serbia, ajo do të udhëtojë për në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë nha Serbia në vitin 2008.

Uashingtoni dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, por Serbia, së bashku me Rusinë dhe Kinën, jo. Uashingtoni dhe Brukseli kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, për shkak të luftës në Ukrainë.

“Siç i thashë presidentit Vuçiç, përkushtimi i tij për dialogun me Kosovën, për kauzën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha zonja Power. “Dhe Shtetet e Bashkuara ofrojnë mbështetjen e tyre të fuqishme”.

Si Serbisë ashtu edhe Kosovës u është thënë se duhet të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë që të përparojnë në synimet e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Të dyja palët janë pajtuar të mbështesin një plan të BE-së për këtë çështje, por tensionet mbeten të larta.

“Ne diskutuam se si Shtetet e Bashkuara mund të jenë të dobishme në avancimin e përparimit në atë që do të jetë një hap tepër i rëndësishëm përpara në rrugën evropiane të Serbisë”, tha ajo.

Zonja Power është shefja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë. Ajo vlerësoi mbështetjen e Serbisë për Ukrainën, megjithëse Beogradi ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të luftës.

Lufta në Kosovë shpërtheu kur shqiptarët etnikë ngritën krye kundër sundimit serb dhe Serbia u përgjigj me një shtypje brutale. Rreth 13,000 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, u vranë. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s përfundimisht e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori i Kosovës.

Teksa arriti në Beograd të martën, zonja Power u bëri nderime nxënësve që u vranë në një shkollë fillore në Beograd javën e kaluar. Ajo shprehu “ngushëllimet më të thella në emër të presidentit Joe Biden dhe në emër të popullit amerikan”.

“Shumë amerikanë, për fat të keq, e njohin dhimbjen që po ndjeni, një dhimbje që asnjë prind, asnjë fëmijë dhe asnjë komunitet nuk duhet ta ndjejë kurrë”, tha zonja Power./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *