Sërish regjistrim për banesat në qytete/ Fushata e Ministrisë së Brendshme do mbështetet nga bashkitë

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është takuar sot me kryetarët e bashkive mbi nisjen e fushatës së regjistrimit të adresave të banimit.

Çuçi i ka bërë thirrje qytetarëve që të konfirmojnë adresat e sakta të banimit, pasi në të kundërt nuk do të marrin shërbime në gjendje civile.

“Nuk do ta marrë më certifikatë nëse ai nuk konfirmon adresën sipas sistemit unik. Kështu do ta shtrimë edhe për shërbime të tjera këtë detyrim. Ky proces i rëndësishëm i marrëdhënies me qytetin dhe shtetin të përfundojë.

Pasi të jenë saktësuar adresa do të lidhet me regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Siç jepen të gjitha të dhënat, te rubrika adresa do të përfshihet edhe adresa. Në certifikatë do të ketë adresën e saktë çdo shtetas shqiptar.

Çdo shtetas shqiptare identifikohet sot lehtësisht me këtë adresë. Kështu që unë kërkoj në radhë të parë nga të gjithë ne, nga të gjithë ju që jeni këtu, nga kryetarët  bashkive një angazhim maksimal që të mbyllim këtë proces të rëndësishëm.

Por edhe qytetarët ti kushtojnë vetëm dy minuta kohë për të vendosur një marrëdhënie korrekte, për të kryer një detyrim qytetar që të saktësojë adresën e tij atje ku banon.

Shumë shpejt do ta kushtëzojmë këtë proces me dhënien e shërbimeve. Por nuk duam që të arrijmë në atë pikë sepse besojmë se shqiptarë e kanë atë koshiencë që ti kushtojnë dy minuta angazhimit të tyre për të vendosur një marrëdhënie sa më të saktë me shtetin e tyre”,- u shpreh Çuçi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij tha se, Tirana do të nisë një fushatë regjistrimi. Veliaj vuri theksin te rëndësia e regjistrimit të adresës së banimit, që u kuptua sidomos gjatë tërmetit apo pandemisë, ku njerëzit kishin nevojë për ndihmë.

Veliaj: “Të 61 kryetarët e bashkive të Shqipërisë duhet të jemi agjentë të propagandës dhe të marketimit të këtij sistemi jashtëzakonisht të thjeshtë. Regjistrimi i saktë i adresave do të na ndihmonte shumë për të gjithë qytetarët sidomos në këto dy vite me tërmetin, me pandeminë, ku kemi kuptuar sa e rëndësishme është të gjejmë njeri-tjetrin. Ne dinim që kishte të moshuar që ishin në gjendje të vështirë ekonomike, që kishin nevojë për t’u çuar një kuti ushqimesh dhe vullnetarët tanë në pjesën më të madhe harxhonin kohë vetëm për të gjetur adresën”.

Më tej kryebashkiaku shtoi, duke sqaruar se si do të bëhet fushata e sensibilizimit për regjistrimin e adresave në kryeqytet:

“Ne në Tiranë duam të shfrytëzojmë të gjithë këtë muaj duke qenë se është muaji i festave ku shumica e njerëzve janë në shtëpi dhe të bëjmë një fushatë sensibilizimi. Do t’i çojmë një letër të personalizuar çdo familjeje, e cila pastaj do duhet të na përkthehet në një adresë.

Ndaj kërkoj që ne mobilizohemi në një fushatë që i kërkojmë gjithë qytetarëve që të bëjnë vetëm këtë verifikim. Nëse më përpara batuta ishte: “Lëvizni se po na numërojnë”, tani është: “Mos lëvizni sa të numëroheni të gjithë”,- që të kemi mundësinë të dimë ku jemi dhe të marrim shërbimet që i meritojmë të gjithë”,- tha Veliaj.

Regjistrimi i adresës së banimit sjell përfitime dhe akses për gjithë shërbimet publike. Adresa e saktë mund të vetëdeklarohet në “e-Albania” ose në zyrat e Gjendjes Civile pranë bashkive përkatëse.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *