Samiti i BE në Tiranë/ Ambasadorja Hohmann: Tregon sa e rëndësishme është Shqipëria për ne

Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Christiane Hohmann ishte sot në bashkinë e Korçës për të parë ecurinë e projekteve të mbështetura nga BE.

Christiane Hohman ka folur në lidhje me mbajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Shqipëri ku tha se kjo gjë tregon rëndësinë që ka për Unionin, Ballkani Perëndimor duke shtuar se më 6 dhjetor Tirana do të mbledhë liderët më të rëndësishëm europianë.

Përsa i përket nivelit të kriminalitetit dhe korrupsionit në vend, Hohmann përmend raportin e KE duke thënë se çështje e rëndësishme mbetet lufta kundër korrupsionit.

“Në fakt është hera e parë që samiti BE-Ballkani Perëndimor organizohet jashtë BE dhe vjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo tregon dhe rëndësinë që ka për ne i gjithë rajoni dhe anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Edhe puna që do të bëjnë këto vende drejt BE dhe për faktin që në Shqipëri do të vijnë në 6 dhjetor liderët e të gjithë vendeve.

Ju mund të dini se rreth 10 ditë më parë, KE ka botuar raportin vjetor për të gjtihë vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë. Është raport që përfshin gjendjen e vendit. Për të gjithë ata që janë të interesuar, në raport një pjesë e rëndësishme ka të bëjë me sundimin e ligjit. Raporti është i qartë sa i përket konsolidimit dhe për të luftuar çështje si lufta kundër korrupsionit”, tha Hohmann.

Ndërkohë, përsa i përket amnistisë fiskale, Ambasadorja ka zgjedhur që të mos shprehet duke thënë se për këto duhet të përgjigjet qeveria. Më herët ajo është shprehur kundër kësaj nisme ligjore të ardhur nga anketa kombëtare e zhvilluar këtë vit.

Kujtojmë se më 6 dhjetor, liderët e Bashkimit Europian do të vijnë në Tiranë pasi do të mbahet samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor. Në samitin që mbahet për herë të dytë brenda vitit, mes liderëve që pritet të vijnë në kryeqytet janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Samiti vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat, ndërsa Kosova pret liberalizimin e vizave dhe Bosnje-Hercegovina pret statusin e vendit kandidat. Nga ana tjetër, Serbisë po i kërkohet më shumë progres në dialogun me Kosovën për të avancuar në procesin e integrimit në BE.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *