Rusia i jep ultimatum Ukrainës

“Propozimet tona për çmilitarizimin dhe denazifikimin e territoreve të kontrolluara nga regjimi, eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë që burojnë prej andej, duke përfshirë tokat tona të reja, janë të njohura për armikun”, citoi agjencia shtetërore e lajmeve “TASS” të ketë theksuar Sergej Lavrov. “Çështja është e thjeshtë: përmbushini ato për të mirën tuaj. Përndryshe, çështja do të vendoset nga ushtria ruse”

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, thotë se SHBA-ja është “përfituesja kryesore” e luftës në Ukrainë dhe së bashku me NATO-n synojnë ta shkatërrojnë Rusinë.

Lavrov i ka dhënë Ukrainës një ultimatum: Plotësoni kërkesat e Moskës – duke përfshirë dorëzimin e territorit ukrainas që Rusia tani kontrollon – ose ushtria ruse do të vendosë për fatin e Ukrainës.

Duke folur një ditë pasi presidenti Vladimir Putin tha edhe një herë se ishte i hapur për bisedimet e paqes – dhe që Shtetet e Bashkuara i kanë përshkruar si të pasinqerta – Lavrov i tha Kievit se duhet, për “të mirën e tij”, t’i përmbushë dëshirat e Moskës.

“Propozimet tona për çmilitarizimin dhe denazifikimin e territoreve të kontrolluara nga regjimi, eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë që burojnë prej andej, duke përfshirë tokat tona të reja, janë të njohura për armikun”, citoi agjencia shtetërore e lajmeve “TASS” të ketë theksuar Sergej Lavrov.

“Çështja është e thjeshtë: përmbushini ato për të mirën tuaj. Përndryshe, çështja do të vendoset nga ushtria ruse”, tha Lavrov.

I pyetur nga “TASS” se sa do të zgjasë konflikti, Lavrov tha: “Topi është në fushën e regjimit dhe Washingtoni pas tij”.

Të dielën, presidenti rus përsëri tha se Moska ishte e hapur për negociata dhe fajësoi Kievin dhe mbështetësit e tij perëndimorë për mungesën e bisedimeve, komente të cilat SHBA-ja i ka hedhur poshtë si të pasinqerta.

Ndërsa lufta hyn në muajin e saj të 11-të dhe pavarësisht pengesave të shumta në fushën e betejës për Moskën, forcat ruse janë përfshirë në luftime të ashpra në lindje dhe jug të Ukrainës, ndërsa sulmet me raketa dhe dron të Rusisë kanë shkatërruar infrastrukturën civile të Ukrainës, duke lënë miliona pa energji, ngrohje dhe ujë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha në fjalimin e tij të natës me video të hënën se situata në front në rajonin e Donbasit ishte “e vështirë dhe e dhimbshme” dhe kërkonte të gjithë “forcën dhe përqendrimin e vendit”. Ai tha se si rezultat i shënjestrimit të infrastrukturës energjetike të Ukrainës nga Rusia, gati nëntë milionë njerëz ishin tani pa energji elektrike. Kjo shifër arrin në rreth një të katërtën e popullsisë së Ukrainës.

Dhjetëra mijëra civilë ukrainas janë vrarë gjithashtu në qytetet që Rusia i ka rrafshuar me tokë dhe mijëra trupa nga të dyja palët kanë vdekur.

Duke pritur liderët e ish-shteteve sovjetike në Shën Petersburg të hënën për një samit të grupit të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, Putin nuk iu referua drejtpërdrejt luftës në Ukrainë, ndërsa tha se kërcënimet për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit Euroaziatik po rriteshin.

“Fatkeqësisht sfidat dhe kërcënimet në këtë fushë, veçanërisht nga jashtë, po rriten çdo vit”, tha ai.

Që nga pushtimi në shkurt, Ukraina i ka përzënë forcat ruse nga veriu, i ka mundur në periferi të kryeqytetit Kiev dhe i ka detyruar rusët të tërhiqen në lindje dhe jug. Por Moska ende kontrollon pjesë të tokës lindore dhe jugore që Putin pretendon se i ka aneksuar.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *