QSUT rrethohet nga policia/ Ardian Çapjas pritet t’i komunikohet masa e sigurisë në spital

Sot pritet të jepet masa e sigurisë për Ardian Çapjan, i cili ndodhet i shtruar në QSUT, pas shfaqjes së problemeve shëndetësore. Gjyqtarët e Elbasanit kanë udhëtuar drejt Tiranës, për të caktuar masën e sigurisë për 53-vjeçarin.

Ardian Çapja u arrestua pak ditë më parë për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, babë e bir. Aktualisht kanë mbërritur në ambientet e spitalit dy avokatët mbrojtës të Çapjas, Neshat Thana dhe Aldo Shkëmbi. Ndërkohë mësohet se prokurorët e kësaj çështje do të jenë Ridvan Sukaj dhe Kreshnik Ajazi.

Çapja u prangos mëngjesin e 29 marsit, pas finalizimit të operacionit të koduar “Krasta 2021”. Gjatë operacionit, në banesën e Ardjan Çapjas, policia i gjeti dhe sekuestroi edhe një kallashnikov.

53-vjeçari u transportua një spital në Tiranë, për shkak të problemeve shëndetësore. Ai u kap në shtëpinë e tij, një banese private në periferi të Elbasanit, në një operacion të koduar me emrin “Krasta 2021”, ku morën pjesë edhe forcat RENEA.

Ardian Çapja nuk ka bërë rezistencë edhe pse në shtëpi mbante një kallashnikov. Në shtëpinë e tij u gjetën edhe 5 radiomarrëse dhe disa uniforma policie.

Kur forcat RENEA hynë në shtëpi, ai ishte në shoqërinë e Ardi Çekanit, një person në kërkim, i dënuar me 1 vit e 6 muaj për veprën penale “Dhuna në familje”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Ardian Çapja akuzohet për ekzekutimin e Gentian dhe Nezir Beqirit, babë e bir. Krimi dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje, pasi Gentian Beqiri ishte dënuar për vrasjen e Sokol Capes, vëllait të Ardianit, në vitin 2005.

Në vrasje, sipas policisë, ka marrë pjesë edhe Florenc Çapja, i shpallur tashmë në kërkim. Ai është arrestuar edhe më parë për këtë akuzë, por është liruar për mungesë provash.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *