‘Plotësohet’ Gjykata Kushtetuese/ Nisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit

Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka mbajtur një mbledhje të posaçme dhe ka vendosur fillimin e procedurave për zgjedhjen e Kryetarit. Kjo vjen pas zgjedhjes nga Gjykata e Lartë të Holta Zaçajt si anëtaren e nëntë të Kushtetueses ditën e sotme. Zaçaj zëvendësoi kryetaren në detyrë me mandat të mbaruar Vitore Tushën.

“Kërkesa për shprehje interesi nga gjyqtarët mund të paraqitet jo më vonë se 7 ditë nga fillimi i detyrës së gjyqtares së zgjedhur nga Mbledhja e Posaçme e Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që mund të jenë edhe kandidatë potencialë, janë:  Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Gent Ibrahimi, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë.

Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, Kryetari caktohet me short.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *