Pa mbështetje? Regjisori Mula: S’më është dhënë pensioni i posaçëm për artistët

Regjisori Osman Mula rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive, duke bërë një rrëfim për jetën e tij profesionale, por dhe atë private. Kur në studio u shfaq një foto me të madhin Avni Mula, kompozitori tha se ai nuk ka qenë thjesht xhaxhai i tij, por profesori që e ka udhëzuar, e ka mësuar dhe ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e tij si artist.
Kompozitori kujtoi se saksofoninë e ka nisur në moshën 15-vjeçare dhe se deri në atë moshë është marrë me sport. “Kam pas qejf të bëhem portier”, tha artisti për News 24.

Edhe pse me një karrierë që ka shënuar në artin shqiptar, Osman Mula thotë se në shumë raste nuk ka marrë vlerësimin që i takon. Ai ndau me sinqeritet faktin se merr një pension shumë të vogël rreth 250 euro në muaj, pasi nuk i është dhënë pensioni shtesë i posaçëm për artistët. “Nga viti 2014 deri sot, emri im është në sekretarinë e Kryeministrisë, por nuk ma japin pasi thuhet se kam folur këtu apo aty… Pastaj thonë pse nuk flasin intelektualët”.
Kompozitori tha se edhe djalin ia kanë hequr dy herë nga puna vetëm se është i biri i Osman Mulës, ndërkohë që vajza e tij ka mbaruar në “La Scala” dhe ka qenë 4 vite e papunë në Tiranë.

Osman Mula shprehu rezerva edhe se prej vitesh vlerat e vërteta të Festivalit janë zbehur dhe mënyra si organizohet nuk është e duhura, duke theksuar faktin se vitin e fundit u realizua nga produksioni i një formati televiziv siç është “Big Brother VIP”. Ai kujtoi faktin që prezantuesja gjatë prezantimit përmendte se veshjet e saj për natë kushtonin mbi 18 milionë lekë, duke harruar se është veshur me paratë e taksapaguesve shqiptarë. “Asaj i paska shkuar 50 milionë lekë vetëm veshja për të gjitha netët e Festivalit, ndërsa e gjithë krijimtaria artistike e këtij eventi muzikor shkon 20 milionë lekë”.

Mula theksoi se ky investim është i pakuptimtë kur gjëja e parë që hiqet nga arkivat pasi mbaron Festivali është pjesa e spikeres, ndërsa transmetohet dhe mbetet vetëm kënga.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *