Nikolla përkujton 11 shtatorin: Terrorizmin kibernetik do ta sfidojmë me aleatët tanë strategjikë

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka përkujtuar ngjarjen tragjike të 11 shtatorit të ndodhur 21 vite më parë.

Me anë të një postimi në rrjete sociale Nikolla shkruan se 2977 qytetarë amerikanë të pafajshëm humbën jetën dhe njerëzimi filloi ta shohë botën ndryshe. Më tej Nikolla, shton se përgjatë dy dekadave, Shqipëria ka bërë zgjedhjen e duhur duke u rreshtuar në krah të ShBA, BE e NATO-s, aleatëve tanë strategjikë kundër terrorizmit, dhunës dhe luftrave.

“2977 qytetarë amerikanë të pafajshëm humbën jetën dhe njerëzimi filloi ta shohë botën ndryshe nga më parë. Kjo ndodhi para 21 vjetësh, më 11 shtator 2021. Por prej asaj dite, guximi i të keqes po sfidohet nga heroizmi, sakrifica dhe solidariteti midis njerëzve, shteteve e kombeve. 11 shtatori na kujtoi se terrorizmi është po kaq i rrezikshëm sa edhe agresioni ushtarak dhe se mbrojtja e atdheut nuk është vetëm mbrojtja e kufijve dhe e territorit. 21 vite pas 11 shtatorit provuan se njerëzimi mund të jetë vulnerabël, por jo i mundur prej terrorizmit.

Teknologjitë dhe “armët” kibernetike të përdorura prej terroristëve mund të shkatërrojnë pafundësisht jetë njerëzore dhe të mirat që njerëzimi ka krijuar prej shekujsh e që njerëzit krijojnë përditë. Kërcënimi i terrorizmit e bën njerëzimin të qëndrojë më i fortë kundër forcave malinje, më i bashkuar në diversitetin etnik, fetar e kulturor.

Përgjatë dy dekadave, Shqipëria ka bërë zgjedhjen e duhur dhe është rreshtuar në krah të ShBA, BE e NATO-s, aleatëve tanë strategjikë kundër terrorizmit, dhunës dhe luftrave. Sulmet terroriste kibernetike nuk do të na zbrapsin dhe nuk do të na thyejnë, por do t’i përballojmë e sfidojmë ato me fuqinë që buron nga liria, e drejta dhe vlerat demokratike e humane që na bashkojnë në aleancat tona strategjike për sigurinë dhe paqen, shkruan Nikolla.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *