“Ngjarje tragjike”, Kurti shpreh ngushëllime për viktimat në Serbi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave që u vranë të mërkurën në një shkollë në Serbi nga një 14-vjeçar.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella për viktimat e të shtënave të shkollën në Beograd dhe familjeve të tyre. Po ashtu, shpresoj për shërim të shpejtë për ata që u lënduan nga kjo ngjarje tragjike”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërkohë, ngushëllime ka shprehur edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

“U urojmë shërim të shpejtë të lënduarve dhe shpresojmë se tragjedi si kjo të mos përsëriten më kurrë”, ka shkruar ministria.

Për ngjarjen kishte reaguar të mërkurën edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ajo u ka shprehur ngushëllime familjarëve të fëmijëve që humbën jetën.

Në mëngjesin e së mërkurës në shkollën “Vladislav Ribnikar”, 14-vjeçari vrau tetë nxënës dhe rojën e shkollës si dhe plagosi disa të tjerë. 14-vjeçari kishte përpiluar listën se cilët nxënës do t’i vrasë dhe në cilën klasë do të futej. Ai madje kishte planin se si të futej dhe të dilte nga shkolla “Vladislav Ribnikar” pas sulmit. Autori pati katër koktej molotovi në çantë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *