Pas disa muajve në arrati, Fjolla Morina është arrestuar në Kosovë. “Telegrafi” mëson nga burime të sigurta se ajo është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi është hasur nga ata në një lokal në lagjen Emshir të Prishtinës.
Fjolla është e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri. Morina u shpall në kërkim më 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.
Ndonëse ishte në kërkim, ajo ka qenë shumë aktive në rrjetet sociale ku ka publikuar foto nga udhëtimi i saj në Dubai apo dasma në Maldive.
Fjolla Morina dhe partneri i saj Fisnik Syla u arrestuan më 19 shtator 2020 në pikën kufitare të Morinës, pasi u kapën me dy armë me vete. Këngëtarja po udhëtonte me një makinë tip “Audi Q7” ndërsa iu gjet një armë në çantë dhe një në bagazh.
Në çantën e saj u gjetën dy pistoleta dhe 23 fishekë, teksa ajo më pas deklaroi se ishte shtatzënë, por që rezultoi se kishte gënjyer.