Liroi nga burgu Dan Hutrën/ Reagon gjykata: Ja arsyet e vendimit

Gjykata e Tiranës ka publikuar një sqarim zyrtar për mediat dhe opinionin publik lidhur me vendimin për të liruar nga burgu Dan Hutrën, autorin e masakrës së djeshme me tre gra të vrara dhe tre të plagosura.

Gjykata thekson se lirimi i Dan Hutrës është bërë në datën 16.02.2023, pasi “ka qënë e detyruar nga ligji, të vendosë shuarjen e masës së sigurimit dhe lirimin e menjëhershëm të këtij të pandehuri”.

Vetëm 8 ditë para se të lirohej, Dan Hutra është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 (një) vit burgim për kryerjen e veprës penale të “Dhunë në familje”. Ky vendim, është lënë në fuqi edhe nga Apeli. …Por një ditë paraburgim e vuajtur nga i pandehuri nën masën “arrest në burg”, është e barabartë me një ditë e gjysëm burgim.

“Në këto kushte, rezulton se i pandehuri e ka vuajtur të plotë dënimin me dt.16.02.2023, pasi kohëzgjatja e paraburgimit, që është duke vuajtur, është më e madhe se dënimi i caktuar nga gjykata” – thuhet në shpjegimin e gjykatës.

Njoftim për shtyp

Nisur nga interesimi i medias dhe rëndësia e ngjarjes së djeshme, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, jep këtë njoftim për shtyp për të sqaruar se:

Në lidhje me shtetasin D.H. nga kjo Gjykatë është dhënë një vendim për veprën penale “Dhunë në familje” parashikuar nga neni 130/a/1 i Kodit Penal, pasi në datën 16.06.2022, rreth orës 12:00, është bërë kallëzim në shërbimet e policisë nga shtetasja E.H. Në lidhje me kete kallëzim është bërë arrestimi i shtetasit D.H. dhe është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg” ne daten 19.06.2022.

Pas përfundimit të hetimeve, në datën 19.10.2022, Prokuroria e Tiranës, ka sjellë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkesën për “Dërgimin në gjyq” për veprën penale të “Dhunë në familje” parashikuar nga neni 130/a/1 te Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit D.H.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, të zhvilluar në prani të prokurorit, të të pandehurit dhe në mungesë të viktimës, edhe pse e njoftuar rregullisht, u kërkua nga ana e të pandehurit dhe mbrojtëses së tij, zhvillimi i gjykimit me anë të gjykimit të shkuruar bazuar në nenin 332/c dhe 403 te K.Pr.Penale, kërkesa të cilat nuk u kundërshtuan as nga organi i akuzes.

Gjykata, duke marrë në kosnideratë faktin se, nga palët nuk u paraqitën kërkesa për pavlefshmëri apo papërdorshmëri provash apo kërkesë për marrje provash të tjera; duke marrë në konsideratë se nuk u konstatua pavlefshmëri absolute apo papërdorshmeri të akteve si dhe duke konstatuar se, çështja zgjidhej në gjendjen që janë aktet, detyrimisht vendosi pranimin e kërkesës së të pandehurit për gjykim të shkurtuar.

Gjatë gjykimit të çështjes në themel, nga ana e të pandehurit është bërë kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit nga “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, me atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, duke parashtruar si motiv gjendjen shëndetësore dhe sëmundjen kronike.

Pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtëses dhe të pandehurit që kërkonin zëvendësimin e masës, pasi dëgjoi dhe prokurorin, i cili ishte dakort me zëvendësimin e masës, gjyqtari Gerd Hoxha vendosi me vendimin me nr.555/1 datë 09.01.2023, Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit D.H., vendim i cili ëshë lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në datën 14.02.2023.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes në themel, nga organi i prokurorisë u kërkua dënimi i të pandehurit me 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim dhe më pas aplikimi i kërkesave të nenit 403 të K.Pr.Penale, dënimin e tij përfundimisht me 1 (një) vit burgim.

Në datë 08.02.2023, Gjykata pasi administroi edhe tre deklarata noteriale që theksonin normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, si dhe akte të tjera që vërtetonin gjëndjen e rëndë shëndetësore të nënës së të pandehurit, e cila jetonte vetëm me këtë të fundit, deklaron të pandehurin D.H. fajtor për kryerjen e veprës penale të “Dhunë në familje” parashikuar nga neni 130/a/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim

Në aplikim të nenit 406 e K.Pr.Penale, e dënoi përfundimisht të pandehurin me 1 (një) vit burgim. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurit nga dita e arrestimit të tij në flagrance në datën 16.06.2022.

Në datën 15.02.2023, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i pandehuri D.H., përfaqësuar me anë të mbrojtëses së tij Klodiana Sanxhaku, paraqet kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe lirimin e menjëhershëm parashikuar nga neni 261 e vijues i K.Pr.Penale, pasi rezulton se është arrestuar në flagrancë në datën 16.06.2022 dhe me vendimin me nr. 385 datë 08.02.2023 është dënuar përfundimisht me 1 (një) vit burgim.

Në nenin 261 të K.Pr.Penale, konkretisht në pikën c) parashikohet se … “Masat e sigurimit shuhen kur kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se sa masa e dënimit të caktuar….”.

Në interpretim të dispozitës së mësipërme, nëse kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur nga i pandehuri është më e madhe se dënimi i vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, atëherë masa e sigurimit personal “Arrest në burg” e vendosur ndaj të pandehurit nuk mund të vazhdojë të ekzekutohet.

Duke ju kthyer rastit, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin me nr. 395 datë 08.02.2023, i pandehuri është dënuar, në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, përfundimisht me 1 (një) vit burgim për kryerjen e veprës penale të “Dhunë në familje” parashikuar nga neni 130/a/1 i K.Pr. Penale. Sipas këtij vendimi, vuajtja e dënimit fillon nga data 16.06.2022, kur i pandehuri është arrestuar. Gjatë gjykimit i pandehuri është gjykuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” nga data 16.06.2022 e deri më sot.

Bazuar ne nenin 7 të Ligjit nr.7942 datë 31.05.1995 “Për hyrjen në fuqi të Kodit penal”, një ditë paraburgim e vuajtur nga i pandehuri nën masën “arrest në burg”, është e barabartë me një ditë e gjysëm burgim.

Në këto kushte, rezulton se i pandehuri e ka vuajtur të plotë dënimin me dt.16.02.2023, pasi kohëzgjatja e paraburgimit, që është duke vuajtur, është më e madhe se dënimi i caktuar nga gjykata.

Në këto kushte, në datën 16.02.2023, Gjykata ka qënë e detyruar nga ligji, të vendosë shuarjen e masës së sigurimit dhe lirimin e menjëhershëm të këtij të pandehuri.

GJYKATA E TIRANES

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *