Ligji që prek dhe shqiptarët: Asnjë emigrant që futet me gomone në Britani, s’do marrë azil

Emigrantët që kalojnë kanalin në mënyrë të paligjshme me gomone nuk do të kenë mundësi të kërkojnë azil në Britaninë e Madhe, gjë që prek edhe shqiptarët. Daily Mail shkruan se ligji do të ndryshojë dhe çdo emigrant që ka kaluar nëpër një vend të sigurt, siç është Franca, do të marrë statusin ‘i pavlefshëm’ në kërkesën për azil. Më pas ata do të përballen me largimin e menjëhershëm nga Britania.

Këtë gjë e ka thënë edhe vetë Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme në Britaninë e Madhe. Legjislacioni i ri do të përcaktojë gjithashtu masa të mëtejshme për të trajtuar ‘kërkesat e rreme për azil’. Ndryshimet ligjore do të formojnë një plan kyç të përpjekjeve për të përmbushur premtimin e kryeministrit Rishi Sunak për ‘të ndalur gomonet me emigrantë’.

Kryeinspektori i burgjeve, Charlie Taylor, paralajmëroi javën e kaluar se qendrat e emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk kanë kapacitet për planin e kryeministrit Rishi Sunak. Qeveria ka njoftuar planet për të rihapur qendrat e papërdorura Campsfield House, pranë Oksfordit dhe Haslar, në Gosport, Hampshire.

Qendrat do të funksionojnë deri në gusht dhe do të mbajnë gjithsej 1,000 të burgosur të tjerë.

Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi. Kreu i qeverisë i konsideroi deklaratat e Braverman si ‘britmë çmendine’ dhe ‘retorikë kriminale’.

Së fundmi është nënshkruar edhe një marrëveshje mes Britanisë së Madhe dhe Francës që ka për qëllim të rrisë vigjilencën dhe të ndalojë prurjet e emigrantëve që kalojnë përmes kanalit të La Manshit për në Britaninë e Madhe. Marrëveshja parashikon një pagesë vjetore të Mbretërisë së Bashkuar për Francën për të ndihmuar policinë e kufirit në 72 milionë euro.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *