Kuvendi miraton projektbuxhetin për vitin 2023

Projektbuxheti për vitin 2023 u miratua në parim sot në Kuvend me 76 vota pro, 41 kundër dhe 0 abstenim.

115 deputetë ishin prezentë ne sallën e Kuvendit, ndërsa drita jeshile për projektbuxhetin u dha vetëm nga Partia Socialiste. Pjesë e miratimit ishin edhe tre projektligje të Paketës Fiskale.

Të ardhurat totale buxhetore për vitin 2023 parashikohen të arrijnë 631.7 miliardë lekë ose rreth 29% e PBB-së nga 28,2% në vitin 2022. Në rritje parashikohen të jenë edhe shpenzimet buxhetore, në një vlerë prej 687.2 miliardë lekë, me një rritje në vlerë absolute prej 26.5 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2022.

Në vitin që vjen 2023 borxhi publik do të ulet në 67.5%. Sipas skenarit bazë deficiti i përgjithshëm fiskal për të gjithë vitin 2022 të jetë edhe më i ulët se kufiri ligjor i rishikuar, ndoshta në rreth 3.3 – 3.5 % të PBB-së.

Investimet publike për vitin 2023 parashikohen të jenë rreth 5.5% e PBB-së, ndërkohë që deficiti i përgjithshëm fiskal për vitin që vjen targetohet në 2.6% të PBB-së. Balanca korrente fiskale do te jetë pozitive prej rreth 2.9% e PBB-së”.

Rritja ekonomikë në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte relativisht e fortë, 4.2% e gjeneruar nga kërkesa e brendshme konsumi, investimet, dhe kërkesa e huaj neto. Papunësia ra më tej me 11.3%, ndërsa punësimi u rrit 4.3% nga viti.

Për vitin 2023, bazuar në skenarin bazë parashikohet rritje reale ekonomike prej 2.6%. Rritja do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet, por në masë marzhinale pritet të kontribuojë pozitivisht edhe kërkesa e huaj neto e mbështetur nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Ndërkohë parashikimi i FMN për vitin tjetër është 2.2%.

Intensiteti i ngjarjeve të papritura është rritur vitet e fundit, me tërmetin e vitit 2029, pandeminë dhe më pas luftën në Ukrainë, që rriti në mënyrë të pazakontë çmimet e mallrave në të gjithë globin.

Situata e re e krijuar nga lufta ka devijuar shpenzimet buxhetore në vitin 2023. Rreth 32 miliardë lekë shtesë (260 milionë euro) vitin që vjen shkojnë për të financuar ushtrinë (+10 miliardë lekë), interesat e borxhit (+10 miliardë lekë) dhe fondet kontingjencë për energjinë (+12 miliardë lekë).

Gjithashtu, zgjedhjet vendore do të mëkatojnë shpenzimet buxhetore në disa drejtime. Shpenzimet kapitale arrijnë në një rekord historik në rreth 122 miliardë lekë dhe financimet për rajonet, nëpërmjet fondit të zhvillimit, janë programuar të rriten ndjeshëm.

Ministria e Financave analizoi se rreziqet ndaj stabilitetit fiskal janë shtuar si në drejtim të të ardhurave, ashtu edhe shpenzimeve.

Në krahun e të ardhurave konsiderohet rrezik mosarritja e objektivit të rritjes ekonomike. Të ardhurat e buxhetit, pa përfshirë paketën fiskale, janë programuar të rriten 5%, ndërkohë që rritja ekonomike reale në vitin 2023 pritet të jetë 2.6%.

Devijimet me ulje nga projeksionet e nivelit të inflacionit të projektuar është një tjetër rrezik. TVSH, si tatim indirekt “ad valorem” ndikohet nga indeksi i rritjes së çmimeve, i cili është projektuar 3.6%. Nëse nuk realizohet, do të ndikojë në mosrealizimin e shtesës së të ardhurave nga ky faktor.

Rrezik janë ndryshimet e paparashikuara në kurset e këmbimit të Lekut me monedhat e tjera. Ulja e kursit të këmbimit të monedhave Euro apo USD krahasuar me projeksionin, ndikon në uljen e vlerës së mallrave tek importet, për rrjedhojë edhe TVSH-në mbi këto mallra.

Çmimet ndërkombëtare të mallrave, sidomos çmimet e produkteve energjetike, që mund të japin efekt në rënien e konsumit dhe kanë ndikim në të ardhurat buxhetore.

Në krahun e shpenzimeve, Ministria e Financave konsideron rrezik kontratat koncesionare PPP dhe normat e interesit të borxhit, rritja e të cilave shton presionin për shpenzimet që duhen për pagesën e borxhit dhe interesave të tij.

/monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *