Kush ia ndryshoi planet Lajçak: Vendimet e Qeverisë së Kosovës krijuan situatë të re

Nga një vizitë për përgatitje të takimit të ardhshëm të nivelit të lartë, Lajçak tani do të merret me reagimet që ka ngjallur vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosje të reciprocitetit në përdorimin e dokumenteve të identifikimit.

Në Serbi, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ka thënë se ky vendim ka ndryshuar temat dhe planet e vizitës së tij.

“Kam ardhur në rajon për ta përgatitur takimin e ardhshëm të liderëve dhe të flas për progresin dhe normalizimin e raporteve dhe tani duhet të zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë të ketë krizë”, deklaroi Miroslav Lajçak, përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçak nuk ka komentuar kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, se veprimet e tyre pas vendimeve të Qeverisë do të jenë vdekjeprurëse.

“Kemi pasur diskutim shumë serioz të mërkurën për situatën dhe sigurisht duhet të shikojmë për zgjidhje nëpërmjet dialogut dhe jo konfrontimeve”, shtoi Lajçak.

Në Serbi, Lajçak të enjten është takuar me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në një njoftim të Qeverisë së Serbisë thuhet se me veprimet e fundit Qeveria e Kosovës ka vendosur në prag të humnerës procesin e dialogut.

“Pas ngjarjeve të djeshme Prishtina e solli dialogun në prag të humnerës dhe po bëhet gjithnjë e më e sigurt se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë bërë të pakuptimta. Beogradi është veçanërisht i shqetësuar për mungesën e reagimit të komunitetit ndërkombëtar, i cili vëren në heshtje lëvizjet e politikanëve shqiptarë që çojnë në destabilizimin e situatës në terren dhe rrezikun e konfliktit, të cilin Prishtina e dëshiron pa dyshim”, thuhet në ragimin e Qeverisë së Serbisë.

Gjatë vizitës në Kosovë, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është shprehur optimist se takimi i radhës mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë do të zhvillohet para pushimeve të verës.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *