Kursi i euros i stabilizuar, efekti sezonal drejt përfundimit?

Euro shënoi një rënie të lehtë të martën në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 121.34 lekë, në rënie me 0.03 pikë krahasuar me të hënën. Monedha europiane pati shënuar një rritje të lehtë në gjysmën e dytë të javës së këaluar, por në ditët e para të kësaj jave kjo rritje nuk ka vazhduar më tej dhe kursi është stabilizuar.

Duke pasur parasysh arritjen e pikut të sezonit turistik, faktori me ndikimin kryesor në këtë periudhë të vitit, nënçmimi i euros në kursin e këmbimit valutor mund të ketë arritur pikën fundore. Kursi i këmbimit të euros preku nivelin më të ulët vjetor më datë 11 gusht, kur u këmbye me 121.18 lekë.

Këtë vit euro nënçmimi sezonal i euros ka qenë më i fortë krahasuar me vitin e kaluar, kur niveli më i ulët kishte qenë 123.36 lekë, i shënuar në fillim të muajit gusht. Sipas agjentëve të tregut, kjo i detyrohet kryesisht një oferte më të lartë të euros në treg, falë prurjeve më të mëdha nga turistët. Falë lehtësimit të ndjeshëm të kufizimeve dhe përmirësimit të gjendjes epidemiologjike krahasuar me vitin e kaluar, turizmi hyrës këtë vit vlerësohet në nivele më të larta krahasuar me vitin e kaluar, duke sjellë efektet e veta edhe në kursin e këmbimit valutor. Gjatëë tremujorit të tretë, Banka e Shqipërisë zhvillon dy ankande për blerje valute çdo muaj, për nevojat të administrimit të rezervës valutore. Por, as ky factor nuk e ka frenuar nënçmimin sezonal të monedhës europiane. Megjithatë, kursi i euros deri tani nuk ka rënë në nivelet e para pandemisë. Në verën e vitit 2019, euro pati rënë deri në 120.75 lekë, në fillim të muajit gusht.

Sidoqoftë, këtë vit leku po fiton terren ndaj euros dhe një tendencë e mbiçmimit të monedhës vendase ka nisur që para sezonit veror, qysh në fundin e tremujorit të parë.

Veç efektit të riaktivizimit të lëvizjes ndërkufitare, një efekt pozitiv në balancat e kursit të këmbimit po jep edhe rritja e eksporteve. Sipas të dhënave të Instat, për shtatë muajt e parë të këtij viti, vlera e eksporteve u rrit me 17%, duke tejkaluar madje edhe nivelet e regjistruara para pandemisë.

Prurjet në rritje të euros dëshmohen edhe nga rritja e lartë e depozitave të reja. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat e reja në euro për 6-mujorin 2021 arritën në 4.65 miliardë euro, në rritje me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Një faktor tjetër që besohet se sjell prurje të konsiderueshme valutore është edhe ekonomia informale, me flukse që kanalziohen sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshme./ MONITOR

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *