Kriza nuk e uli konsumin/ Importi i karburanteve kapi rekorde historike në janar-mars  

Importet e mallrave të akcizës janë rigjallëruar gjatë muajit mars duke arritur nivelet e parakrizës raportojnë të dhënat zyrtare nga Tatimet dhe Doganat.

Rritje më të lartë shënuan importet e karburanteve të cilat arritën rekorde historike gjatë gjithë periudhës së krizës, deri në fund të marsit. Ndërsa nga mallrat e tjera të akcizës janë rikuperuar importet e birrës dhe kafesë në muajin mars, ndërsa cigaret kanë vijuar uljen gjatë tre muajve të parë të vitit 2021.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në muajin mars, importet e karburanteve arritën në 46,6 mijë tonë, me një rritje 56% në raport me marsin e vitit 2020 dhe me një rritje 36%, në raport me marsin e vitit 2019.

Rritja është evidente për të gjithë 3-mujorin 2021 me 9% më shumë se viti i kaluar, ku pavarësisht krizës pandemike, importet e naftës vitin e kaluar ishin në rekorde, prej 126 mijë ton (shih grafikun: Importet e karburanteve, janar-mars).

Karburantet janë ndër kontributorët më të mëdhenj të të ardhurave buxhetore, sidomos në arkëtimet doganore nëpërmjet pagesës së akcizës, TVSH-së dhe taksave doganore. Rritja e sasive të zhdoganuara të naftës ishte arsyeja kryesore e rritjes së të ardhurave doganore gjatë muajit mars.

Burimet nga tregu pohuan se, importet e larta të naftës po zëvendësojnë prodhimin e munguar të rafinerisë së ARMO-s.

Burimet shpjeguan se, konsumi nuk ka ndryshuar e për rrjedhojë importet nuk po udhëhiqen nga ky tregues, por po korrektojnë prodhimin e munguar. Por të dhënat historike nga Ministria e Financave tregojnë se, importet nuk ishin kaq të larta edhe në vitet e tjera kur ARMO nuk ka qenë në punë.

Gjatë dy muajve të parë të vitit 2021, importet e naftës ishin 79,361 tonë me një ulje 9% në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë, por ato panë një rritje të pazakontë në mars, duke e çuar sasinë e importuar gjatë 3-mujorit në nivelin më të lartë historik që nga viti 1991.

Importet e naftës ishin më të lartat e shënuara ndonjëherë, në një kohë që investimet në projektet e mëdha të investimeve, TAP dhe HEC-et në lumin Devoll kanë përfunduar, teksa kriza pandemike e goditi konsumin, si rrjedhojë e rënies së lëvizjeve.

Importet e birrës gjithashtu panë një rritje vjetore jo të zakonte në muajin mars, me rreth 84%, teksa me tremujor treguesi ishte me rënie vjetore të lehtë. Edhe importet e kafesë shënuan rritje me 27% në mars dhe me një rritje më të butë për tremujorin e parë.

/Burimi: Monitor.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *