Kriza e çmimeve, ironia e Fugës: Ne duhet të kemi ose “Benzin” e “Toyotën”, pasi trenin nuk e honepsim

Akademiku i njohur Artan Fuga  ka komentuar krizën e çmimeve që ka prekur vendin tonë, duke deklaruar ai nuk është surprizuar nga kjo gjë, pasi sipas tij ekonomia shqiptarë është në regres në 40-vitet e fundit.

Po ashtu ai deklaroi se problemet e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare sot janë probleme strukturore. Gjithashtu akademiku përdori ironinë për të parë se ku qëndron problemi i ekonomisë së vendit,  ku tha se ne duhet të kemi ose “Benzin” e “Toyotën”, pasi trenin nuk e honepsim.

“Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Nuk ka asnjë lloj habie dhe dua të them që statistikisht i kam parë këto fakte 20 vjet përpara dhe kam 30 vjet që i ndjek. Nuk habitem, sepse në analizat e mia ndodhin dy gjëra. Po të shikosh strukturën e tregtisë së jashtme të Shqipërisë, atë që quhet balanca eksport-import, do të shikojmë që në raport me vitet e shoqërisë moniste, është e njëjta strukturë. Pra, ne eksportojmë produkte që kanë një vlerë të shtuar të vogël dhe importojmë mallra që kanë një vlerë të shtuar shumë të madhe. Ajo që dallon sot nga e kaluara është se sot eksportohet mish dhe importohet mish, pra eksportohet mish qengji dhe importohen sasi të mëdha mish lope, etj. me një cilësi më të dobët.

Kjo vjen, sepse prodhuesi i vendit e shet jashtë me çmime më të larta se brenda vendit. Kjo ulje ndodh, sepse jemi në një ekonomi bujqësore të parcelizuar, sipas ligjit që rrënon bujqësinë, florën e faunën. Nuk është ulur vetëm numri i dhenve e dhive, por edhe numri i shqiptarëve. Ndaj, nuk ka asgjë të çuditshme. Ne kemi 40 vjet që jemi në këtë zbritje të tmerrshme nga pikëpamja ekonomike e sociale, ndërkohë që jemi futur në një shoqëri, që duhet të ishte e zhvillimit, e progresit. Në fakt, ka ndodhur një regres. Në 30 vjet, po të shikosh mesataren, konsumi është rritur, por varet si e mat. Mos harro se inflacioni në raport me vitet 1993, ku di unë sa herë është rritur.

Unë jam shqetësuar që përpara 20 vitesh për këto kriza. Unë tani ndihem mirë, sepse tani shoh edhe të tjerët që janë të shqetësuar si unë. Kështu që unë nuk mërzitem me këtë. Problemet e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare sot janë probleme strukturore, që nuk zgjidhen me mekanizmin financiar vetëm të taksimit, taksë e sheshtë, e pasheshtë, progresive, jo progresive. Jo, janë probleme strukturore. Kjo do të thotë nëse do të punohen tokat në Shqipëri, nëse do të kemi një brez që do i kthehet punës, apo do të ikë. Duhet të nisim nga e para e të mendojmë në mënyrë bazike. Nëse nuk ndodhin këto, patjetër që çmimet do shkojnë në stratosferë, sepse ne duhet të kemi ose “Benzin” e “Toyotën”, pasi trenin nuk e honepsim. Ne kemi qenë të shtypur dhe sa nxorëm pak kokën te drita e pusit si bretkosa, thamë se arritëm parajsën, por nuk është kështu”, u shpreh Artan Fuga.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *