Krimi në familje/ I martuar me dy gra, të pathënat e intrigës familjare që çuan në ekzekutimin e çiftit Muskurti

I ngjan një intrige të gjallë brenda familjes historia që çoi në vrasjen e çiftit Nora dhe Alban Muskurti pasditen e djeshme nga Arsen (Hamza) Muskurti. Burime për median bëjnë me dije se vëllezërit Muskurti kishin hapur një biznes bashkë disa vite më parë por për arsye se nuk merreshin vesh me ndarjen e të ardhurave kanë vendosur që të vijnë rrugëtimin e biznesit veç e veç.

Kështu, Nora dhe Alban Muskurti vijuan me kompaninë e udhëtimeve “NOOR”, e specializuar për dërgimin e besimtarëve myslimanë në Meke dhe Medinë, ndërkohë që pas Arsen (Hamza) Muskurti hapi një kompani udhëtimi të veten duke bërë të njëjtën gjë. Krahas kësaj, Arsen (Hamza) Muskurti hapi edhe një dyqan për shitjen e produkteve kozmetike përballë në rrugën e Kavajës. Mësohet se të gjitha bizneset e vëllezërve ishin përballë xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë dhe rezulton sipas të dhënave të policisë dhe dëshmive të besimtarëve se ata ishin frekuentues të rregullt të saj ku shkonin dhe faleshin. Megjithatë besimi në Zot nuk duket se u ka zbutur zemrat vëllezërve, të cilët vazhdimisht kishin fërkime mes tyre. Kulmi arriti kur në rrjetet sociale u hapen disa profile në rrjetin social Facebook, të cilat hidhnin akuza të forta në lidhje me Arsen Muskurtin për marrëdhenie jashtëmartesore me gra të tjera krahas bashkëshortes së ligjshme. Hamza Muskurti akuzonte kunatën e tij, Nora për hapjen e këtij profili. Raportohet se Arsen Muskurti i arsyetonte këto akuza me argumentin se ai ishte i martuar me ato gra dhe në këtë marrëdhënie nuk kishte asgjë problematike për aq kohë sa çdo gjë ishte miratuar edhe nga bashkëshortja e ligjshme dhe kishin bërë “nikahun” (riti i martesës sipas myslimanëve). Martesa e burrave me më shumë se një grua është një fenomen i përhapur sëfundmi te besimtarët e xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë, gjë e cila bëhet me pretendimin se ka një argument fetar mbi këtë veprim. Megjithatë, shumica e besimtarëve të tjerë nuk e miratojnë diçka të tillë duke e cilësuar si fenomen, i cili nuk përputhet me realitetin social në vendin tonë, ndryshe nga vendet arabe. Kështu, krahas konfliktit për biznesin, marrëdhenia mes Arsenit dhe familjes së vëllait të tij Albanit u zhvillua prej vitesh në këtë vorbull akuzash, fyerjesh publike dhe konfliktesh edhe me personazhe të tjerë, pjesë e “xhematit” të kësaj xhamie.

Gjithçka kulmoi dje, teksa Arsen Muskurti mori armën që e mbante në ambientet e biznesit të tij dhe shkoi duke vrarë me gjakftohtësi vëllanë dhe kunatën e tij brenda ambienteve të “NOOR Travel”, ndërkohë që më pas fiksohet nga kamerat e sigurisë që largohet me qetësi prej andej. Arsen Muskurti u arrestua pak orë më pas nga policia duke lënë pas shumë pikëpyetje në lidhje me rrethanat që çuan deri në këtë krim monstruoz si edhe realitetet paralele në grupimet e caktuara shoqërore ku zhvillohet problematika kaq të mprehta që çojnë deri në drama të tilla./abc

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *